image SBASHK-u i drejtohet Muratit: Po i ikni kërkesave për takime, jepi shtytje dialogut social

Kosovë

SBASHK-u i drejtohet Muratit: Po i ikni kërkesave për takime, jepi shtytje dialogut social

news image

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, i është drejtuar me një letër publike ministrit Hekuran Murati, duke u ankuar se nuk po i del kohë për dialog me përfaqësuesit e sindikatave.

SBASHK thotë se Murati e ka obligim, dialogun e mirëfilltë social “për të dëgjuar kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit dhe të punësuarve në sektorët tjerë”.

Tutje thuhet se SBASHK ka kohë që ka dërguar kërkesa zyrtare për takim e për të bashkëbiseduar për çështje të rëndësishme e që janë kërkesa të punëtorëve në sektorin e arsimit, por nuk kanë arritur të takohen me Muratin.

Letra e plotë e tyre:

I nderuari Murati ju kujtojmë se  ju jeni edhe Ministër i punës

Nuk duam të përzihemi në punët e Qeverisë nëse është dashur apo jo të zvogëlohet numri i i Ministrive, por jemi të bindur se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është  dashur të jetë Ministri në vete. Këtë e themi bazuar në realitetin se në  Ministrinë e   Financave dhe Transfereve keni  aq punë e angazhime sa që i nderuar  Ministër  Murati nuk po iu del kohë që bile një ditë të ndjeheni  edhe Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të uleni  e të nxisni dialogun social mes punëdhënësve apo Odave dhe Qeverisë në njërën anë dhe të përfaqësuesve të punëtorëve apo sindikatave në anën tjetër.  

SBASHK-u me këtë letër publike nuk e ka qëllimin të vlerësojë punën tuaj  i nderuari Murati si Ministër i Financave e Transfereve, por angazhimet e shumta rreth buxhetit dhe çështjeve tjera që lidhen me Ministrinë e Financave, kanë bërë, si duket, që  të mos keni   durim që të merreni edhe me obligimet si Ministër i Punës sepse  disi po i ikni kërkesave të SBASHK-ut, po besojmë edhe të sindikatave të tjera, për takime dhe për të zhvilluar, ashtu si e keni  edhe obligim , dialogun e mirëfilltë social e për të dëgjuar kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit dhe të punësuarve në sektorët tjerë.

Ministër Murati, ka kohë që nuk është mbajtur as edhe një takim i Këshillit Ekonomik Social, ka  kohë që SBASHK-u ju ka dërguar shkresa e njoftime për kërkesat e anëtarësisë sonë, ka kohë  që ju kemi dërguar edhe kërkesa zyrtare për takim e për të bashkëbiseduar për çështje të rëndësishme e që janë kërkesa të punëtorëve në sektorin e arsimit, por ju i nderuar Ministër , sikur  keni qasje, apo edhe bindje të gabuar nda sindikatave dhe , nëse është kështu, atëherë kjo është keq. Është keq sepse sa  herë kanë munguar takimet dhe dialogu, atëherë  gjërat janë përkeqësuar, janë shtuar pakënaqësitë e tensionet dhe pastaj ka ardhur, pa dëshirën e SBASHK-ut dhe ndonjë sindikate tjetër, edhe te veprimet sindikale dhe kur vjen puna deri aty, atëherë, kjo është dëshmuar edhe në të kaluarën, takimet dhe dialogu humbin shumë vlerën e tyre.

I nderuari Ministër Murati me qëllimin më të mirë po ju drejtohemi m këtë letër publike duke ju kujtuar se jeni edhe Ministër i punës dhe mirëqenies sociale dhe se duhet të takoheni me sindikatat dhe t’i jepni shtytje dialogut të mirëfilltë social.   /Gazeta Sinjali/