Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka paralajmëruar se do të ngrenë padi ndaj Qeverisë së Kosovës në rast se nuk ekzekutohen pagat deri më 5 tetor për mësimdhënësit.
Nënkryetari i kësaj sindikate, Ymer Ymeri tha për Gazetën Sinjali se qeveria po vepron njëanshëm dhe se nuk po vepron sipas kontratës kolektive.
“Është cenim i të drejtave të punëtorëve por njëkohësisht edhe shkelje e ligjeve ekzistuese në Kosovë në bazë të kërkesës që e kemi bërë, në rast se Qeveria na dërgon një vendim të marrë nga kushdoçoftë, atëherë ne do të nisim procedurat gjyqësore”, tha Ymeri.
Ymeri hodhi akuza edhe ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murti për tentim të shkatërrimit të anëtarësisë së SBASHK-ut.
“Veprimi për mos me i ekzekutu pagat për mësimdhënëst është një tentim i ministrisë së Financave për ta shkatërruar anëtarësinë e SBASHK-ut”, përfundoi Ymeri për Gazetën Sinjali.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ua ka hedh fajin komunave për pagat, të cilat thotë se janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë.
“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, tha Nagavci.
Theksojmë se zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një prononcim për Gazetën Sinjali ka konfirmuar se nuk do të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit grevist.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – tha Kryeziu.