image Qeveria e përsërit: S’ka rroga për ata që e mbajtën grevën

Politikë

Qeveria e përsërit: S’ka rroga për ata që e mbajtën grevën

news image

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeizu, e ka përsëritur se nuk do të ekzekutohen pagat për ata që ishin në grevë, por do të kompensohen mësimdhënësit që e kanë mbajtur mësimin.

Reagimi i Kryeziut vjen pasi e ka shpërndarë një status të Arbërie Nagavcit, ministre e Arsimit – e cila i akuzoi komunat për këtë çështje

“Parimi ‘pagë për punë’ do të respektohet. Mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompensohen”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se komunat, si përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, nuk i kanë dërguar të dhënat për mësimdhënësit në Ministrinë e Financave, derisa ka njoftuar se pagat janë realizuar për ata që i kanë pasë të dhënat.

“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar ministrja Nagavci.

Ajo shtoi se sot do ta publikojnë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit. Mbi këtë vendim, Nagavci shkruan se do të ketë kompensim, por për punën e bërë.

Ndërkohë nga Këshilli i Prindërve të Kosovës janë shprehur skeptik rreth kësaj çështje.

Jeton Demi, kryetar i këtij Këshilli bëri të ditur për Gazetën Sinjali se orët e humbura do të kompensohen vetëm me një kusht.

“Do ta shohim njëherë kalendarin, por, fundjavat nuk duhet të jenë fare opsion”, u shpreh Demi.

/GazetaSinjali/