Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit pas diskutimeve të shumta kanë autorizuar kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharin dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale.
Sipas sindikatës, duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave.
“Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30. Greva në Universitete greva fillon në orën 8 deri në orën 10. Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet. Greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/