I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të mësojnë nga përvojat dhe gabimet e shtetit gjerman.
I pyetur nga mediat serbe se cila mund të jetë “armatura e re” e bisedimeve në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe nëse është modeli i “dy gjermanive”, ai u përgjigj se është i lumtur nëse pjesët e mira të historisë së vendit të tij mund të përdoren për përparime dhe pajtime.
“Kemi bërë gabime dhe duam që Serbia dhe Kosova të mësojnë nga përvojat tona të mira, por edhe nga gabimet tona. Situata në këtë rast është ndryshe nga ajo në Gjermani”, deklaroi Sarrazin për TV Prva.
“Kosova është një vend që funksionon mirë, edhe pse ka pasur probleme gjatë verës”, theksoi ai dhe shpjegoi se detyra e tij është të diskutojë në Beograd se ku Serbia nuk po e përmbush sa duhet Marrëveshjen e Brukselit për të normalizuar marrëdhëniet.
“Nga këtu shkoj në Prishtinë dhe u them se ku duhet të kontribuojnë më shumë dhe të sillen më të zgjuar. Kjo nuk do të thotë se të dyja palët janë po aq fajtore dhe ku duhet të përfundojë më shumë presioni. Ne duam të mbështesim shtetësinë, por “një, dy, tre…kjo është ajo që duhet bërë më mirë”, shtoi Sarrazin.