Policia është në pritje të intervistimit të Osman Shaptafajt i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Mediat australiane kanë zbardhur detaje të reja nga tragjedia shqiptare. Osman Shaptafaj qëlloi me armë zjarri në drejtim të vajzës Lindita Musait, 25 vjeç dhe dhëndrit Veton Musai, 29 vjeç. E bija humbi jetën në vend nga plumbat, ndërsa dhëndri disa orë më vonë në spital, pasi plagët ishin të rënda dhe fatale. Sipas medieve, i ati nuk ka qenë i ftuar as në fejesën e çiftit apo në dasmë.
Mediat australiane kanë ndriçuar detaje të reja nga tragjedia, ku babai e vrau vajzën dhe dhëndrin, pasi e bija vendosi që të fillonte një jetë të re larg tij me bashkëshortin pas martesës një vit më parë. Policia është në pritje të intervistimit të babait Osman Shaptafaj, që ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Çifti Veton dhe Lindita Musai sapo ishin kthyer në shtëpi nga festimi i përvjetorit të tyre të parë të martesës. 55-vjeçari i inatosur me vendimin e së bijës për t’u larguar nga shtëpia shkoi në banesën e tyre të re në Yarraville dhe në momentin që e bija hapi derën pas disa trokitjeve, Osman Shaptafaj e qëlloi me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa më pas e qëlloi edhe dhëndrin i cili ndërroi jetë në spital, transmeton Gazeta Sinjali.
Osman Shaptafaj, i cili jetonte 5 km larg çiftit, u gjet pas një blloku banesash me plagë arme në kokë pasi tentoi të vetëvritej. Shaptafaj ndodhet në spitalin e Melburnit në një gjendje kritike. Një dëshmitar i tha një televizioni në Australi se e kishte parë atë ta qëllonte veten në kokë, të binte në tokë e pastaj të ngrihej përsëri.
Veton Musai, sipas medieve australiane ishte djali i udhëheqësit të komunitetit shqiptar në këtë vend, Alil Musai, i cili arriti atje nga Maqedonia në vitet 1980. Ndërkohë që çifti ishte njohur në fund të vitit 2017 dhe u martuan një vit më vonë.
Miqtë dhe të afërmit e çiftit janë të shokuar nga ngjarja e rëndë. “Jemi të trishtuar”, një tjetër shkroi “Veton dhe gruaja juaj e mrekullueshme Lindita pushoni së bashku në kopshtin e Zotit për paqe të përjetshme”. “Një humbje kaq tragjike. Ngushëllime të sinqerta”, ishin disa nga mesazhet e miqve në rrjetet sociale.
Shaptafaj në anën tjetër shpesh publikonte mesazhe të kriptuara në faqen e tij në Facebook, mes të cilave një foto të një tufe delesh, mes të cilave një dele ishte e zezë.
I ati, bazuar te informacionet nga të afërmit, nuk ka qenë i ftuar në as fejesën e çiftit apo dasmë. Ndërkohë që në një postim ai shkruante “Më duani ose më urreni, të dyja janë në favorin tim. Nëse më doni mua do të jem gjithmonë në zemrën tuaj. Nëse më urreni, do të jem gjithmonë në mendje”.
Një anëtar i familjes tha se vajza kishte kaluar një periudhë të vështirë nga i ati për shkak të formimit të tij. Vajza punonte në një kompani që merrej me shitje pronash në Melbourne ndërsa burri në një bankë.
Kjo është ngjarja e dytë e rëndë që ndodh në Australi në pak kohë në familjet shqiptare, pasi në gusht të 2019, një baba tjetër shqiptar e vrau vajzën e tij. /Gazeta Sinjali/