image “Sanksionet na dëmtuan imazhin dhe ekonominë”, Bislimi pret heqjen e tyre - e fajëson Hungarinë

Politikë

“Sanksionet na dëmtuan imazhin dhe ekonominë”, Bislimi pret heqjen e tyre – e fajëson Hungarinë

news image

Masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mëpastaj nga Bashkimi Evropian “kanë dëmtuar ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Për mos heqjen e tyre, Bislimi gishtin e drejtoi kah Hungaria, e cila sipas tij, “si emëruesi më i vogël i përbashkët” nuk e lejoi konsensusin e shumë vendeve të BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Pritshmëria jonë ishte se samiti do të përdorej për të korrigjuar këtë gabim, sipas nesh, që u bë gjatë procesit, e që ka dëmtuar ekonominë por edhe imazhin e Kosovës. Ne besojmë se këto masa negative kanë prodhuar çekuilibër në procesin e dialogut. Pavarësisht faktit se qëllimi ndoshta ishte për të nxitur sjellje konstruktive, në këndvështrimin e tyre, kjo dështoi”, tha ai.

Bislimi tha se ka pasur vende që kanë qenë pro heqjes së masave ndëshkuese, por se “kompromisi u gjet përmes emëruesit më të vogël të përbashkët”.

“Hungaria nguli këmbë për diçka tjetër, dhe ky pozicion mbizotëroi”, ka thënë Bislimi në një intervistë për Euronews Albania.

“Kemi mbështetës që përkrahin heqjen e masave, por na duhet dikush që të këmbëngul për këtë. Kjo do të ndihmonte. Ka një fjali në konkluzionet e Këshillit që i hap rrugën kësaj sepse thotë që Këshilli është gati të heqë masat me kërkesë të Përfaqësuesit të Lartë. Ne e dimë se ai ishte pro heqjes së masave, ndaj ajo që na duhet tani është që Borrell t’i dërgojë një letër ku të mbështesë heqjen e masave”, tha Bislimi derisa shtoi se është optimist për këtë.

/GazetaSinjali/