image Këto janë shpenzimet e kabinetit të Hotit për mandatin 5 mujor

Kosovë

Këto janë shpenzimet e kabinetit të Hotit për mandatin 5 mujor

news image

Avdullah Hoti më datë 4 qershor 2020 ka marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Kosovës. Që nga ajo ditë e deri më 4 nëntor, kabineti i tij ka shpenzuar mbi 111 mijë euro.

Gazeta Sinjali ka kërkuar Qasje në Dokumente Publike nga Zyra e Kryeministrit për të mësuar rreth shpenzimeve të kryeministrit Avdullah Hoti dhe kabinetit të tij që nga 4 qershori deri më 4 nëntor, ku edhe ka marrë përgjigjje lidhur me kërkesën e bërë.

Në bazë të përgjigjjes nga Zyra e Kryeministrit shihet se kabineti i Hotit për periudhën kohore prej 5 muajve ka shpenzuar 111.206.03 euro, ku pjesa më e madhe e shpenzimeve kanë shkuar në dreka zyrtare.

Drekat zyrtare të tyre kapin shifrën prej 36.766.76 eurove, ku 6.205.90 euro nga kjo shumë shkuan për dreka zyrtare jashtë vendit.

Por muaj më parë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj kishte thënë Kosova ka një kryeministër që bukën e merr me vete dhe nuk e ka luksin formë të jetesës së tij.

Ne kemi një kryeministër në Kosovë qe bukën e merr me vete, merr sanduiça në çantë”, tha Selmanaj. Ndërsa tërë këtë e kishte pohuar vetë Hoti duke thënë se akoma i duket vetja si student, por shifrat e lartëpërmendura dëshmojnë të kundërtën.

Po ashtu Gazeta Sinjali nga Zyra e Kryeministrit mëson se shpenzimet për karburant të veturave arrijnë shifrën prej 22.235.66 eurove, ndërsa ato të akomodimit për udhëtimet zyrtare jashtë vendit në 20.946.75 euro dhe shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit në 13.449.85 euro.

Shpenzimet e telefonisë mobile arritën shumën prej 7.052.14 ndërsa ato të cilësuara si “shpenzime telefonike” shkuan në 6.090.72 euro.

Kurse shpenzimet për mëditje, të cilat nga Zyra e Kryeministrit i dhanë epitetin si “shpenzime të vogla” arritën në 4.050.35 euro.

Dhe në shpenzimet tjera gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, por që nuk specifikuan se për çfarë shpenzime bëhet fjalë harxhuan 613.80 euro.

Avdullah Hoti në këtë pozitë erdhi pas prishjes së koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që u pasua nga një mocion mosbesimi i inicuar nga partia e tij.

Kurse më 21 dhjetor 2020 Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti, ku sipas tyre vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë që nga dita e shpalljes së tyre nga tashmë ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani.

/GazetaSinjali/