image Samiti në Tiranë, kancelari austriak: Po dërgojmë një sinjal të fortë afrimi

Politikë

Samiti në Tiranë, kancelari austriak: Po dërgojmë një sinjal të fortë afrimi

news image

Fakti që Samiti BE-Ballkani Perëndimor po mbahet në rajon për herë të parë është një sinjal i fortë afrimi, tha kancelari austriak Karl Nehammer, me rastin e takimit të nesërm në Tiranë.

Nehamer, i cili do të marrë pjesë në samit, shprehu shpresën se gjatë këtij muaji do të dërgohet një sinjal shtesë i fortë me dhënien e statusit kandidat Bosnje-Hercegovinës.

“Afrimi dhe lidhja e ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor është historikisht domethënëse për Austrinë. Është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë e të gjithë Evropës. Veçanërisht në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, ne duhet të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë”, tha ai, njofton Euronews.al.

Samiti në Tiranë është i pari i këtij lloji që mbahet në rajon. Tema kryesore do të jetë mënyra si të kapërcehen bashkërisht pasojat e luftës në Ukrainë, procesi i zgjerimit të BE-së, forcimi i sigurisë, por edhe lufta kundër migrimit të paligjshëm.

Në samit do të marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, si dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

/GazetaSinjali/