Bashkimi Evropian ka katër ditë që kanë hyrë në bisedime për krijimin e një fondi të rimëkëmbjes ekonomike pas dëmeve që ka shkaktuar koronavirusi.
Por tash e katër ditë, ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare mes drejtuesve të BE-së, për shkak se disa përfaqësues nuk janë të kënaqur me mënyrën sesi do të shpenzohet fondi prej 750 miliardë eurosh.
Disa shtete anëtare besojnë se paketa e propozuar prej 750 miliardë eurosh është shumë e madhe dhe duhet të vijë si kredi e ripagueshme, sesa grante.
Në orët e para të mëngjesit të së hënës, presidenti francez Emmanuel Macron raportohet të jetë më i ashpër se të tjerët.
Dhe kryeministri holandez Mark Rutte ka pranuar se udhëheqësit ishin “afër dështimit” dhe bisedimet ende mund të “shkëputen”.
Diskutimet pritet të rifillojnë në orën 14:00 të ditës së sotme për atë që tani njihet si samiti më i gjatë i BE-së që nga ai i Nice-s në vitin 2000 kur bisedimet zgjatën pesë ditë.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, iu kujtoi udhëheqësve se më shumë se 600,000 njerëz kishin vdekur nga virusi në të gjithë botën, dhe ai shpresonte që “titulli nesër është që BE të ketë realizuar misionin e pamundur”.
Të hënën në mëngjes, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të koronavirusit ishte pothuajse 14.5 milionë në nivel global, raporton BBC./ Gazeta Sinjali/