Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, është deklaruar për herë të parë lidhur me audio-incizimet e publikuara në media, ku janë të përfshirë njerëzit e sistemit të inteligjencës dhe drejtësisë së vendit.
Sipas tij këto audio-incizime do të bëjnë qeverinë që të punojë për ta bërë sa më shpejtë vetingun.
“Jemi duke punuar shumë në një rast i cili vetë koncepti i vetingut i ka disa elemente që don angazhim shtesë dhe analizë shtesë. Puna jonë ka qenë jashtëzakonisht e ngutshme por edhe e kujdesshme. Ai koncet-dokument përmban elemente shumë të rëndësishme se si duhet të bëhet vetingu ndaj sistemit të drejtësisë. Jemi të pandalshëm sepse krimi është i pandalshëm. Besoj që më shpejt se që mendoj. Mendoj që vitin e ardhshëm, pra në 2022 ose 2023 do të bëhet krejt infrastruktura ligjore për të nisur vetingu. Këto përgjime, këto skandale brenda sistemit të drejtësisë na kanë shtuar motivin dhe argumentet për të punuar seriozisht për të bërë një veting i cili e filtron këtë sistem i cili prej vitesh është i anshëm, i kriminalizuar dhe ka probleme në funksionimin e tij”, ka thënë ai në KTV.
Sllahu ka thënë se janë dy modele mbi të cilat mund të bëhet vetingu, njëri me bazë ligjore dhe tjetri me bazë kushtetuese.
“Këtu janë dy modele, njëri është me bazën ligjore dhe një me bazën kushtetuese. Do të shkojmë me modelin e parë fillimisht të shohim a kemi konsensus politik të përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës nëse kemi shkojmë, nëse kemi shkojmë me ndryshime kushtetuese, nëse jo shkojmë me bazën ligjore”, ka shtuar ai.