image Ministria e Drejtësisë fillon zyrtarisht procesin e vettingut

Drejtësi

Ministria e Drejtësisë fillon zyrtarisht procesin e vettingut

news image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka organizuar takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e koncept-dokumentit për procesin e vettingut, shkruan Gazeta Sinjali.

Haxhiu potencoi se gjyqësori është komponentë e rëndësishme e sundimit të ligjit të çdo shteti dhe se pamundësia e sistemit gjyqësor e prokurorial të veprojë në mënyrë të drejtë tek të gjithë qytetarët, shpie tek etablimi i kulturës së mos ndëshkimit.

“Fatkeqësisht, besimi i publikut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial nuk është dëshmuar të jetë në nivelin e pritshmërive. Kjo nuk rëndon vetëm sistemin gjyqësor e prokurorial, por edhe vetë Qeverinë e Republikës së Kosovës e cila është e përkushtuar, me tërë fuqinë e saj, ndaj realizimit të plotë të të drejtave të qytetarëve, ashtu si u janë garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Tutje në takim, është bërë prezantimi i strukturës përmbajtjesore të koncept-dokumentit dhe gjithashtu planit fillestar të punës nga Kryesuesi i Grupit Punues, Lulzim Beqiri, e cila pritet të përfundohet brenda 4 muajve.

“Në anën tjetër të pranishmit në takim, përfaqësues nga institucionet dhe shoqëria civile, shprehen vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuuar në këtë proces të rëndësishëm reformues në sistemin e drejtësisë.

Në fund të takimit, anëtarët e Grupit Punues, u dakorduan rreth planit të punës dhe formatin mbi bazën e të cilit do të përgatitet ky Koncept Dokument si dhe fazat nëpër të cilat do të kaloj deri në miratimin e tij në Qeveri”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MD-së./Gazeta Sinjali/