Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të parë në gjykimin për krime lufte ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës.
Mirëpo, Mustafa as në këtë seancë nuk u kthye pas pushimit të drekës. Mungesa e tij u arsyetua nga mbrojtësi i tij dhe u aprovua nga trupi gjykues.
Megjithatë, kryetarja e trupit gjykues, Mapi Feld Folia, ka thënë se është e nevojshme që nesër në mëngjes, kur edhe vazhdon procesi, Mustafa të jetë i pranishëm.
Duke e lëshuar seancën, Salih Mustafa nuk ka pranuar të vazhdojë të dëgjojë dëshminë e dëshmitarit të parë që ka nisur mëngjesin e sotëm.
Aktualisht dëshmitari W03593 po merret në pyetje nga përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe më herët gjatë ditës deklaroi se Mustafa pati tentuar edhe ta vriste me një revole e cila, sipas tij, për rrethana teknike nuk ishte shkrepur, si dhe ka rrëfyer mënyrën si u kap, siç pretendon ai nga ish ushtarë të UÇK-së dhe u maltretua në një qendër ndalimi në fshatin Zllash.
Pjesa më e madhe e kësaj dëshmie është dhënë në seancë të mbyllur për publikun dhe është bërë e ditur se i njëjti dëshmitar gjatë vitit 2006 ka bashkëpunuar edhe me UNMIK-un./Gazeta Sinjali/