Ish-konsullja e Kosovës në ShBA, Teuta Sahatqija, ka thënë se Qeveria Kurti duhet të bashkëpunojë ngushtë me opozitën për procesin e dialogut, që në fund Kosova të del e suksesshme.
“Raportimet që duhet të bëhen, duhet të jenë të rregullta në Kuvendin e Kosovës dhe duhet një koordinim me opozitën pasi edhe vendimi i opozitës do ta fuqizonte kryeministrin Kurti.”
“Marrëveshja finale dhe pozita e Kosovës nuk është vetëm interes i një partie, por është i Kosovës dhe besoj se të gjitha palët kanë interesim që ky dialog të përfundohet ashtu që Kosova të mbetet me territor çfarë është dhe të përfitojë njohje nga BE-ja, si dhe të hapet rruga për në NATO.”
Sahatqija ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë përkrahëse e procesit ku përfituese del Kosova, por këtë do ta bëjë në Kuvend dhe jo si pjesëmarrëse në delegacionin dialogues.
“LDK-ja do të jetë konstruktive, do ta japë kontributin e vet në Kuvend, por s’do të jetë pjesë e delegacioneve. LDK është pro dhe beson që Kosova duhet të përfitojë dhe ta ruajë karakterin unitar dhe kontributin e vet do ta japë deri në maksimum në Kuvendin e Kosovës”.
Ajo ka komentuar edhe takimin e fundit të kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq në Bruksel, duke thënë se shpreson që t’i shërbejë Kosovës për mirë.
“Paraqitja e tij dhe pikat që i parashtroi, shpresoj që kanë një prapavijë dhe janë menduar si duhet, sepse përveç se na kënaqin neve si Kosovë me ato pika, mendoj që këto pika do të duhet të jenë në funksion të fuqizimit të dialogut. Ky takim i dytë në fakt nuk dha ndonjë shpresë për të ardhmen, por shpresoj që prapa kësaj të ketë qenë një mendim më i thellë dhe i cili në të ardhmen do t’i japë një fuqi më të madhe“, tha ajo në KlanKosova
Sahatqija reagimin e Vuçiqit pas takimit e ka quajtur si aktrim, derisa thotë se këtë gjë ai e bën vazhdimisht.
“Vuçiq është një artist i mrekullueshëm se si paraqitet para BE-së dhe ndërkombëtareve. Ai shfaqet si një person që brengoset për Serbinë dhe serbët e Kosovës dhe se do të tregojë se është i frikësuar.”
“Në fakt s’ka të bëjë asgjë me të. Sa kam shërbyer në New York kam parë koordinimin e tij tepër të fuqishëm me (Ivica) Daçiqin. Derisa Vuçiqi paraqitet si tepër bashkëpunues me ndërkombëtaret, në të njëjtën kohë Daçiqi në mënyrë shumë të koordinuar komunikon me Rusinë për t’iu treguar BE-së se ka edhe partnerë të tjerë.”/Gazeta Sinjali/