Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme këtë muaj në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’.
Fillimisht, më 14 nëntor, Kosova i shkon Çekisë në Plzen, kurse tri ditë më vonë e pret Anglinë në Prishtinë.
Shitja e biletave për ndeshjen me Anglinë fillon nesër (e martë) me fillim nga ora 16:00.
Një ditë para se të fillojë shitja e biletave, kompania që merret me menaxhimin e tyre ‘tiks.app’ ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për tifozët.
“Ju rikujtojmë se biletat online dalin në shitje nesër nga ora 16:00”, thuhet fillimisht në njoftim.
Tutje, kompania në fjalë ka treguar edhe njëherë për kërkesat e larta për bileta, duke cekur se vetëm 5.5% të kërkuesve arrijnë të sigurojnë biletë.
“Kërkesa për biletat e ndeshjeve të Kosovës është shumë e madhe. Statistikisht, vetëm 5.5% të kërkesave online arrijnë të sigurojnë biletë”, tregon më tej kompania./Gazeta Sinjali/