Thuajse gjatë çdo viti, Policia e Kosovës është renditur si ndër institucionet më të besueshëme të vendit.
E brenda këtij viti nga Policia e Kosovës pati thirrje për aplikimin të të rinjve të cilët duan të bëhen pjesë e këtij institucioni.
Madje pritet që shumë shpejtë të rinjtë të cilët kanë aplikuar në konkursin e fundit të hapur nga Policia e Kosovës t’u nënshtrohen testeve të nevojshme.
Por në një përgjigje të dhënë nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës është bërë e ditur se tani për tani janë mbi 9 mijë punonjës në kuadër të këtij institucioni.
15 për qind e këtyre punonjësve i takojnë komuniteteve të ndryshme të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kosovë.
Gjithashtu Policia e Kosovës në kuadër të punonjësve që ka 15 për qind e tyre i takojnë gjinisë femërore.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës numëron mbi 9000 punonjës prej tyre mbi 15% janë të komuniteteve të ndryshme përderisa nga numri i punonjëseve afërsisht 15% i përkasin gjinisë femërore”.
Por pavarësisht se mosha e zyrtarëve policorë është mjaftë e lartë, pensionimi i punonjësve apo mosha e tyre se kur do të pensionohen nuk ka pasur ndonjë ndryshim.
E lidhur me këtë nga Policia e Kosovës kanë thënë se pensionini i punonjëseve të PK-së bëhet sipas ligjit ku përcaktohet edhe mosha e pensionimit, përderisa rekrutimi bëhet përmes konkurseve të cilat bëhen publike.
Por në mesin e zyrtarëve policorë të Kosovës padyshim se pati edhe të tillë të cilët shkaktuan skandale, e ndoshta edhe thyen rregulloret e këtij institucioni duke shkuar edhe më larg e duke shkelur ligjet e shtetit të Kosovës.
Vetëm në periudhën disa mujore: Nga 1 janari 2021 deri më 30 shtator të po të njëjtit vit, Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar 1 mijë e 564 ankesa, prej të cilave 519 ankesa apo raste janë përcjellë për hetim preliminar në Departamentin e Hetimeve.
Kurse me numër penal nga ankesat e pranuara janë regjistruar gjithsej 124 raste, ku 1 mijë e 19 ankesa apo 65% e tyre janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës për hetim disiplinor.
Nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë thënë për lajmi.net se gjatë kësaj periudhe është rekomanduar suspendimi i 74 zyrtarëve policorë dhe një nga stafi civil.
Kurse gjatë të njëjtës periudhë kohore të këtij viti është rekomanduar edhe transferi për gjashtë policë.
Gjatë periudhës nëntë mujore të këtij viti me Kallëzim Penal në Prokuroritë kompetente janë dorëzuar 49 raste, me raport të veçantë 21 raste, dy raste me raport informues ndërsa në proces janë 52 raste me numër penal.
E për përqindjen e vogël të femrave në Policinë e Kosovës si dhe në FSK, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se barazia gjinore duhet të jetë e përditshme dhe jo për të përmbushur kuotën gjinore. Ajo ishte shprehur se përkrahja institucionale për gratë në institucionet e sigurisë nuk duhet të mungojë asnjëherë.
“Si presidente jam përkushtuar në promovimin e gruas dhe në sektorin e sigurisë. Jam e vetëdijshëm se është bërë mund ne hartimin e Agjendës për Barazi Gjinore në Policinë e Kosovës dhe Planin e Veprimit 2021-2023. Në qendër të kësaj agjende është barazia, në te cilën është ndërtuar republika jon.Në këtë kontekst duhet të përmendim burrat dhe gratë për mundin që kanë bërë për ndërtimin e shtetit, dhe për këtë u ofrojmë mbështetjen institucionale. Sa më shumë barazi në sektorë te sigurisë, aq më shumë sillen para drejtësisë kryesit e krimit. Institucioneve u mbetet që barazia gjinore të jetë e përditshme, të cilat e rrisin mirëqenien e qytetarëve. Ky synim ka nisur atëherë dhe duhet të vazhdojë”, kishte deklaruar ajo.
“Shumë gra gjatë luftës mbrojtën shtetin, dhe ato gra dhanë gjithçka që dot të kemi shtetin tonë. Ne duhet t’i inkurajojmë gratë që të bëhen pjesë e institucioneve, dhe duhet t’i shmangim stereotipat se institucionet janë vetëm të burrave. Të dhënat tregojnë se janë 15 për qind gra në Polici, në FSK me 11 për qind e kështu më radhë”, kishte thënë ajo.