image Rusia zgjat për 3 muaj paraburgimin për gazetarin amerikan

Botë

Rusia zgjat për 3 muaj paraburgimin për gazetarin amerikan

news image

Në një seancë të mbajtur me dyer të mbyllura, një gjykatë në Rusi ka vendosur të zgjasë paraburgimin e Evan Gershkovich, një gazetar i Wall Street Journal me tre muaj të tjerë.

Ky zhvillim nxjerr në pah natyrën e fshehtë që rrethon çështjen kundër Gershkovich, i cili është korrespondenti i parë amerikan që mbahet në Rusi për akuza për spiunazh që nga epoka e Luftës së Ftohtë.

Gershkovich, një shtetas amerikan 31-vjeçar, u ndalua në muajin mars teksa ishte duke raportuar nga Rusia.

Pavarësisht akuzave për spiunazh, si Gershkovich, punëdhënësi i tij, ashtu edhe qeveria amerikane i kanë hedhur poshtë akuzat. Gjykata tani ka urdhëruar që ai të qëndrojë në paraburgim deri më 30 gusht.

Seanca dëgjimore e së martës nuk u njoftua paraprakisht dhe e gjithë çështja është mbajtur në fshehtësi.

Autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje se çfarë provash kanë mbledhur për të mbështetur akuzat për spiunazh.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, Tass, tha se seanca u mbyll sepse gazetari akuzohet për posedim të “materialeve sekrete”. Wall Street Journal raportoi të martën mbrëma se prindërit e Gershkovich, emigrantë sovjetikë që jetonin në Nju Xhersi, vizituan Moskën dhe panë djalin e tyre gjatë seancës së dëgjimore.

“Nuk di si ta përshkruaj këtë lumturi dhe këtë trishtim në të njëjtën kohë”, tha nëna e reporterit, Ella Milman. Ajo tha se Gershkovich dukej i relaksuar dhe në gjendje të mirë, dhe se ata komunikonin përmes buzëqeshjeve.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se të paktën një zyrtar i ambasadës amerikane mori pjesë në seancën dëgjimore.

Qeveria e SHBA më herët ka thënë se Gershkovich ishte arrestuar gabimisht dhe kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm. Ai po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës.

Zyrtarët e ambasadës amerikane u lejuan të vizitojnë Gershkovich një herë në burg që nga arrestimi i tij në Yekaterinburg më 29 mars, por autoritetet ruse kanë mohuar dy kërkesa të tjera të fundit për ta takuar atë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve në Uashington, “Ne i bëjmë thirrje edhe një herë Rusisë që të përmbushë detyrimin e saj për t’i ofruar atij akses konsullor”. Ai shtoi se akuzat kundër Gershkovich janë të pabaza “dhe ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij”.

Analistët thonë se Moska mund të përdorë amerikanët e burgosur për “pazar politik” gjatë rritjes së tensioneve SHBA-Rusi për shkak të luftës të Kremlinit në Ukrainë.

Në një deklaratë pas seancës dëgjimore të së martës, Wall Street Journal tha: “Ndërsa prisnim se nuk do të kishte asnjë ndryshim në ndalimin e gabuar të Evan, ne jemi thellësisht të zhgënjyer. Akuzat janë dukshëm të rreme dhe ne vazhdojmë të kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm.”

/GazetaSinjali/