Rusia, të dielën u ka thënë njerëzve në qytetin e pushtuar ukrainas të Khersonit që të ikin për të shpëtuar jetën e tyre.
Në një video-mesazh, ministri rus i Arsimit, Sergei Kravtsov, u është drejtuar banorëve duke thënë:
“Situata sot është e vështirë. Është jetike për të shpëtuar jetën tuaj… Nuk do të jetë për shumë kohë. Do të ktheheni patjetër.”
Kujtojmë se, përfaqësuesit e Rusisë në rajonin jugor po përpiqen të evakuojnë deri në 60,000 njerëz që jetojnë në bregun perëndimor të lumit Dnieper.
Rajoni Kherson ndodhet në veri të gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014 dhe është një portë kyçe për furnizimet ushtarake ruse.
Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, që nga e marta nga qyteti janë evakuuar rreth 25,000 njerëz.