image Rusia “nuk i ndahet” Kosovës - Sinjali

Rusia “nuk i ndahet” Kosovës

news image

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sean Murphy, thotë për REL se nuk është i qëndrueshëm krahasimi që presidenti rus, Vladimir Putin, i bën aneksimit të rajoneve në Ukrainë me procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Të martën, më 22 shkurt, Putin bëri thirrje për njohjen ndërkombëtare të Gadishullit ukrainas të Krimesë si pjesë të Rusisë, duke e krahasuar atë me Kosovën.

Rusia e ka aneksuar jashtëligjshëm Krimenë në vitin 2014, pas një referendumi që, sipas komunitetit ndërkombëtar, ka qenë i kurdisur.

“E kam thënë shumë herë këtë, por dua ta theksoj sërish: në çfarë mënyre kjo shprehje e vullnetit popullor [në Krime] ishte më e keqe se ajo që ndodhi në Kosovë? Në asnjë mënyrë”, tha Putin.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 – nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe i ka dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Mbi 10 mijë njerëz janë vrarë në luftë dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Shtetësinë e Kosovës e kanë njohur deri më tash mbi 100 vende, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.

Profesori Sean Murphy, i cili ka qenë njëri nga personat kryesorë të ekipit të Kosovës, që ka argumentuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë pranë GJND-së, thotë se situata e Kosovës nuk përkon me krahasimet që bën Putin, sepse krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë, sipas tij, janë të dokumentuara mirë.

“Situata që ka ndodhur në Kosovë, është krejtësisht ndryshe nga ajo që po ndodh tani në Ukrainën lindore. Së pari, faktet, mizoritë që ka kryer Qeveria serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, kanë qenë të mirëdokumentuara nga shumë organizata ndërkombëtare, ndërsa akuzat e Rusisë për abuzim nga Qeveria ukrainase janë krejtësisht të pabazuara”, thotë Murphy, duke iu referuar pretendimeve të zyrtarëve rusë se në lindje të Ukrainës, forcat qeveritare po bëjnë krime kundër separatistëve pro-rusë.

  • Senatorja Ernst paralajmëron për rritjen e ndikimit rus në Ballkan

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia është duke e përdorur Kosovën për të arsyetuar veprimet e saj që nga viti 2008, kur ka njohur pavarësinë e rajoneve separatiste të Gjeorgjisë – Osetisë Jugore dhe Abkazisë.

Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka njohur edhe pavarësinë e dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, dhe ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse atje.

  • Pse Putin i njohu separatistë e mbështetur nga Rusia në Ukrainë?

Bechev thotë se rasti i Kosovës dhe ai i aneksimit të Krimesë janë të pakrahasueshëm.

“Jo, nuk krahasohen në të vërtetë. Rusia e pushtoi Krimenë dhe organizoi një referendum që çoi në shkëputje dhe përfundimisht aneksim… Nuk ka pavarësi të Krimesë si shtet më vete. Kosova nuk kishte autonomi brenda Serbisë, ndryshe nga Krimea në Ukrainë”, thotë Bechev.

Ai thotë se nuk beson se insistimi rus për të krahasuar situatën e Kosovës me aneksimin e Krimesë, mund të dëmtojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Krahasimi” që bën Rusia prej vitesh

Rusia, një nga aleatet më të fuqishme të Serbisë në arenën ndërkombëtare, e kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

Pavarësisht vendimit të GJND-së, Rusia, në disa raste, e ka përdorur shpalljen e pavarësisë së Kosovës si “krahasim” me aneksimin e Krimesë.

Një gjë të tillë, presidenti rus, Putin, e ka bërë menjëherë pas aneksimit të gadishullit ukrainas, në vitin 2014.

“Autoritetet e Krimesë iu referuan precedentit të njohur të Kosovës – precedent që kolegët tanë perëndimorë e krijuan me duart e tyre në një situatë shumë të ngjashme, kur ranë dakord që ndarja e njëanshme e Kosovës nga Serbia – pikërisht ajo që po bën Krimea tani – ishte legjitime dhe nuk kërkonte asnjë leje nga autoritetet qendrore të vendit [Serbia]”, ka thënë Putin më 18 mars, 2014.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin