Ish-marinsi amerikan Trevor Reed, i cili mbahej në paraburgim në Rusi që nga viti 2019, u lirua të mërkurën në këmbim të pilotit rus Konstantin Yaroshenko, i cili po vuante një dënim 20-vjeçar në Shtetet e Bashkuara, tha ministria e jashtme e Rusisë.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken përshëndetën lirimin e zotit Reed dhe thanë se po punonin për të liruar një tjetër shtetas amerikan që mbahet në Rusi, Paul Whelan.
“Trevor, një ish-marins amerikan, është liruar nga paraburgimi”, theksohej në një deklaratë nga presidenti Biden. Presidenti Biden theksoi gjithashtu se kishte njoftuar dhe prindërit e zotit Reed.
Zoti Biden nuk komentoi detajet e lirimit, përveçse tha se: “Negociatat që na lejuan ta kthenim Trevorin në shtëpi kërkonin vendime të vështira që unë nuk i marr lehtë”.
Familja Reeds falënderoi presidentin Biden dhe personat e tjerë të angazhuar, duke thënë se “familja jonë ka jetuar një makth” gjatë 985 ditëve të fundit.
“Veprimi i presidentit mund t’i ketë shpëtuar jetën Trevorit,” thanë ata në një deklaratë.
Ata thanë se djali i tyre do të tregonte historinë e tij kur të ishte gati dhe kërkuan që të respektohet privatësia e tyre për momentin.
30-vjeçari nga Teksasi, u dënua në vitin 2019, pasi sipas akuzës ai kishte vënë nën rrezik jetën e dy policëve në Moskë ndërsa ishte në gjendje të dehur. Ai shkoi në Rusi në vitin 2019 si vizitor. Zoti Reed i ka hedhur poshtë akuzat ndërsa Uashingtoni e quajti gjyqin “një teatër absurd”.
Rusia kishte propozuar një shkëmbim të burgosurish për Yaroshenkon në korrik 2019 në këmbim të lirimit të çdo shtetasi amerikan. Yaroshenko është një pilot i dënuar për konspiracion për kontrabandë kokaine. Ai u arrestua nga forcat speciale të SHBA në Liberi në vitin 2010.