Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka thënë se inflacioni pritet të jetë ndër më të lartit në historinë e kohës së pasluftës, kjo për shkak të krizës ekonomike.
Sipas tij, kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në mirëqenien e jetesës së qytetarëve, duke shtuar se mund të kemi një krizë të ofertës e cila lidhet edhe me mungesën e mundshme të produkteve.
“Është një inflacion i lartë dhe sigurisht do të jetë ndër më të lartit në historinë e kohës së pasluftës. Kjo ne do të na krijojë shumë sfida pasi që rritja e kostos së jetesës ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e jetesës së qytetarëve”.
“Gjë që do të ndikojë në përgjithësi në konsumin në shkallë vendi. Dhe kjo do të reflektohet edhe në shifrat e rritjes ekonomike. Tani jemi në një fazë ku mund të kemi një krizë të ofertës e cila lidhet edhe me mungesën e mundshme të produkteve dhe kjo veç e shton dozën e problemit të inflacionit”.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i shfrytëzojë të gjitha politikat e mundshme në mënyrë që vendi të mos rrezikoj të shkojë edhe në një recesion ekonomik.
“Prandaj është thirrje për Qeverinë që t’i shfrytëzojë të gjitha politikat e mundshme në mënyrë që vendi ynë të mos rrezikoj të shkojë edhe në një recesion ekonomik. Kushdo që thotë se nuk ka krizë ekonomike e injoron problemin për shkak se një inflacion i lartë është shenjë e krizës”.
Ndërsa shtoi se vendi nuk ka shkallë të lart të investimeve që ato të rrezikohen nga gjendja e krizës.
Kurse për masat të cilat duhet të merren në raste të tilla Rukiqi thotë për EO se duhet të bëhet rishikimi i normës së TVSh-së, një periudhe të caktuar të suspendohet mbledhja e akcizës së naftës, pagat të rishikohen në bazë të normës së inflacionit dhe të subvencionohet një pjesë e transportit të mallrave.
“Nuk është që Kosova në krejt periudhën e pasluftës ka qenë atraktive për investimet e huaja kështu që nuk mund të flasim për ndonjë rrezik të madh përderisa nuk ka shkallë të lart të investimeve. Masat duhet të kombinohen sa i përket problemit të inflacionit. Në vende të ndryshme ka politika të ndryshme monetare që ne nuk i kemi. Ne duhet me ruajt një dinamikë të rritjes ekonomike e cila mundëson që bizneset të mos ndikohen nga rënia e fuqisë blerëse”.
“Për mos me u ndikua fuqia blerëse duhet me u stimulua fuqia blerëse dhe kjo bëhet duke marr veprime që ndikojnë në uljen e çmimeve.Një ndër to është rishikimi i normës së TVSh-së ose normë zero apo 8 përqind për produktet të cilat janë esenciale dhe e ndikojnë shportën e konsumatorit. Për një periudhe të caktuar të suspendohet mbledhja e akcizës së naftës ose së paku për pjesën e rritur të çmimit të mos mblidhet e njëjta akcizë. Mund të shikohet edhe opsioni që pagat të rishikohen në bazë të normës së inflacionit. Mundësia është të subvencionohet një pjesë e transportit të mallrave të cilat janë me rëndësi për shportën e konsumatorit”.