image Rudari: Kurti na ka premtuar ndihmë, deri më tani vetëm fjalë

Kosovë

Rudari: Kurti na ka premtuar ndihmë, deri më tani vetëm fjalë

news image

Kryetari në detyrë i Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë se ndihmat nga Qeveria Kurti janë shumë të pakta.

“Dy herë kemi pranuar ndihma dhe sasia e tyre ka qenë jashtëzakonisht e vogël sa me thanë që po ju ndihmojmë. Deri më tani ndihmë domethënëse nuk kemi pas”, ka thënë Nexhmi Rudari për Gazetën Sinjali.

Kryetari në detyrë ka theksuar se kryeministri Kurti i ka premtuar se do t’i ndihmojnë, por siç ka thënë Rudari vetëm po ua vështirësojnë punën me vendime nga qeveria.

“Kurti në terma të përgjithshëm ka fol, u prononcua që ka me ndihmuar deri më tani vetëm fjalë”.

Rudari u shpreh se Komuna e Podujevës i ka ndarë 10 mijë euro për pako ushqimore për familjet me nevojë.

“Ne deri më tani i kemi blerë 5 mijë maska me buxhet të komunës. Sot e kemi pas Bordin e Drejtorëve, fillimisht e kemi nda një shumë prej 10 mijë euro me procedura të rregullta të prokurimit. Me ju nda familjeve të cilat nuk kemi mund me i përfshi në ndihmat e shpërndara nga donatorët. Kryesisht do të jenë për familjet që janë në asistencë sociale dhe ata që kanë nevojë”.

Ai theksoi se gjendja e dy personave të infektuar me koronavirus është e mirë, po ashtu familjarët e të prekurve nuk kanë simptoma të virusit Covid-19.

“Sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile që janë në klinikën infektive, deri më tani familjarët e tyre nuk kanë tregu ndonjë simptoma se janë të infektuar. Janë në izolim dhe gjendja e tyre është e mirë”.

Në Kosovë deri më tani janë 63 persona të infektuar me koronavirus, një prej tyre ka vdekur. /Gazeta Sinjali/