Gazeta amerikane “New York Post”, ka publikuar një artikull për kandidatin e PDK-së për kryeministër, Kadri Veselin, ku përshkruhet përpjekja e ish-shefit të SHIK-ut për t’i fituar zgjedhjet në Kosovë përmes një fotografie me presidentin amerikan Donald Trump, të realizuar në vitin 2017.
“New York Post” shkruan sesi Veseli, i cili e kishte takuar dikur presidentin Trump, tani po përpiqet që ta kthejë atë fotografi në një fitore zgjedhore për veten.
Në shkrimin e mediumit amerikan të titulluar “Politikani kosovar e etiketon veten si fansi më i madh i Trumpit në përpjekje për t’i fituar zgjedhjet”, shpërfaqet keqpërdorimi i asaj fotografie të vjetër gati 3 vjet, nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Por ndryshe e ka interpretuar këtë shkrim Radio Televizioni i Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kadri Veseli, një kandidat për kryeministër në shtetin e vogël të Ballkanit, e bëri një foto me Trumpin në një ngjarje në Uashington, DC, më 2017 – dhe po e suvaton atë në të gjithë kryeqytetin e Kosovës, me shpresën se ajo do ta ndihmojë atë që t’i fitojë zgjedhjet”, shkruan “NY Post” për Veselin.
Shkrimit i ka dhënë konotacion krejtësisht ndryshe nga origjinali Radio Televizioni i Kosovës.
“‘New York Post’ komenton fushatën e Veselit dhe efektin e Trumpit”, është titulli i RTK-së, ku e paraqet në mënyrë pozitive shkrimin e gazetës amerikane për kryetarin e PDK-së. Mediumi publik e cilëson “New York Post-in” si gazetë të preferuar të Trumpit, e cila po i kushton vëmendje të veçantë fushatës pro-amerikane të Veselit.
“E përditshmja amerikane New York Post, e cila konsiderohet edhe si gazeta e preferuar e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka komentuar fushatën zgjedhore të Kandidatit të PDK-së për Kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli. Kjo gazetë, që del në New York, ku ndodhet e përqendruar edhe shumica e diasporës shqiptare të SHBA-së, i kushton vëmendje të veçantë faktit që Prishtina është mbushur me billborda të Presidentit Trump dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli”, shkruan RTK.
Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për nevoja të tij politike e shfrytëzon televizionin publik. Ai, duke përdorur pushtetin e etabluar prej kohësh nga PDK në Televizionin e Kosovës po i keqshfrytëzon edhe gazetarët dhe moderatorët e mediumit publik për qëllime të kësaj partie.
Për rrjedhojë, ai së fundi Veseli ka angazhuar për fushatën e PDK-së, gazetaren dhe moderatoren e Radio Televizionit të Kosovës, Arlinda Sejdën, e cila gjatë aktiviteteve parazgjedhore të kësaj partie, është zhveshur tërësisht nga petku gazetaresk duke prezantuar me entuziazëm kreun e PDK-së, Kadri Veselinsi kryeministër të ardhshëm të Kosovës. /Gazeta Sinjali/