image “Rruga e re” e LDK-së shkakton shumë reagime: A do të funksionojë plani për dalje nga kriza?

Politikë

“Rruga e re” e LDK-së shkakton shumë reagime: A do të funksionojë plani për dalje nga kriza?

news image

Takimi me gazetarë e opinionistë i thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shkaktuar shumë reagime. “Alternativë”, “Mendim i përbashkët shoqëror”, “Rrugë e re” apo “Rrugë e tretë”. Këto janë disa nga emërtimet që LDK, ia ka vënë iniciativës për një diskutim të gjerë publik për dalje nga “kriza në të cilën gjendet Kosova”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një prononcim për media ka thënë se Kosova është e të gjithëve dhe se nuk mund të mbahet peng nga një ideologji e caktuar.

“Pas këtij takimi, do të takojmë organizatat e shoqërisë civile, pastaj me botën akademike dhe diplomatë dhe pastaj me sektorin privat”, ka thënë ai.

“Gjendja e tanishme është e rëndë dhe e paprecedentë për Kosovën. LDK-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq prandaj kërkon mobilizim përtej vetes për të gjetur zgjidhje për këtë moment të rëndë”, ka shtuar ai.

“Për ne është shumë me rëndësi që të dihet se Kosova është e të gjithëve dhe ajo nuk mund të mbahet peng e një ideologjie të caktuar, por që ka të zotë që i dalin ballë popullzimit”, ka thënë më tej.

Tutje, ai ka bërë të ditur se në këtë takim ka nisur një ide se si të dilet nga kriza në Kosovë.

“Tani jemi në fazën e konsultimit, kemi prezantuar disa pika të këtij plani. Sot e kemi nisur një ide se si të dalim nga kjo krizë”, ka thënë Abdixhiku.

“Besoj se do të jetë i njëjtë edhe me grupet e tjera të interesit dhe në fund do ta bëjmë publik planin”, ka shtuar ai.

I pyetur rreth idesë për Ballkanin e Hapur, ai ka thënë se është mirë që kjo iniciativë tashmë ka marrë fund.

“LDK ka pasur qëndrim të qartë sa i përket Ballkanit të Hapur, ka qenë projekt politik dhe duplifikim i Procesit të Berlinit”, ka thënë tutje ai.

Ky takim ka nxitur shumë reagime – sidomos tek përkrahësit dhe akterët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Shumë prej tyre kanë shkruar në Facebook duke ironizuar me këtë takim, ndërsa të tjerë kanë pyetur nëse “këta gazetarë do ta quajnë vetën të paanshëm”?

Pas takimit ka reaguar edhe gazetari Imer Mushkolaj i cili i ka kërkuar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, që të distancohet nga gjuha skandaloze e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit.

Muhaxheri, një funksionar i lartë i LDK-së, të martën e krahasoi qasjen në veri të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti me qasjen e dikurshme të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Mushkolaj, tha se e ka ngritur këtë çështje në diskutim brenda takimit të organizuar sot nga Lumir Abidxhiku me opinionistë e gazetarë.

Ai ka thënë se “s’ka koment” nëse alternativa e LDK-së për t’u përballur me situatën politike në vend është e ngjashme me qasjen e Muhaxherit.

“Nga Lumir Abdixhiku kërkova që ai dhe LDK të distancohen nga kjo gjuhë e rrezikshme e Muhaxherit. Nëse kjo qasje është mendësia e “alternativës” së LDK’së, atëherë s’kam koment”, tha ai.

Megjithatë, gazetari nuk shpjegoi se çfarë përgjigje mori nga Abidxhiku, apo nga Gazmend Muhaxheri, i cili po ashtu ishte prezent në takim.

/GazetaSinjali/