image Rrjetet sociale që bashkë me “pëlqimet” sjellin edhe frymëzim

Aplikacione

Rrjetet sociale që bashkë me “pëlqimet” sjellin edhe frymëzim

news image

Huazimi i deklaratës së filozofit, Rene Descartes, “Cogito Ergo Sum” (mendoj, pra jam), në “Ndaj, pra jam” e përshkruan më së miri epokën në të cilën po jetojmë.

Rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën se si ne sot jetojmë dhe i përjetojmë gjërat. Ato janë kudo dhe kurdo. Në një kohë të tillë, pa to, nganjëherë mund të vihet në pikëpyetje edhe “ekzistenca” e dikujt.

Janë më shumë se 4.5 miliardë njerëz në mbarë botën që sot e përdorin internetin, ndërsa 3 miliardë e 800 mijë prej tyre janë përdorues të rrjeteve sociale.

Dikur këto të fundit u përdorën për rrjetëzimin e personave pa dallime, kurse sot, ky rrjetëzim i formësuar dhe fuqia e këtyre mediave po shfrytëzohet në masë të madhe nga ata që kanë shpirtin e ndërmarrësve.

Mbase në një kohë tjetër nuk ka qenë kurrë kaq e lehtë sesa sot, që kreativitetin e tyre ta kthejnë në diçka fitimprurëse.

Sipas, “Oblero”, kishte 2.05 miliardë blerës gjatë vitit që e lamë pas në mbarë botën, ndërsa te shumë persona blerja online ka filluar të bëhet diçka e pandashme, sepse 75 për qind kryejnë blerje online së paku një herë në muaj.

Këtë mundësi të jashtëzakonshme, e cila është gjithherë e në rritje e ka shfrytëzuar edhe Flutura Mustafa.

Ishte periudha e izolimit për shkak të pandemisë gjatë vitit të kaluar kur kreativiteti i saj filloni të marrë formë.

Kështu që, me “ndjenjën kornizë” Flutura e kuptoi që izolimi nuk ekzistonte për botën virtuale dhe shpirtin artistik.

“Me ‘ndjenjën kornizë’ kam filluar të merrem në qershor të vitit të kaluar. Frymëzimi erdhi nga periudha që ishim në izolim, kur punonim nga shtëpia. E pashë se sa i rëndësishëm është një vend i punës që nuk varet nga askush dhe vendosa që t’i përkushtohem 100%. Si autore e botuar, dedikimet e veçanta në kornizë tanimë përveç se punë primare është kënaqësi”, tregon Flutura për Akademi Pune.

Ajo pohon që rrjetet sociale sot janë një ndihmesë e madhe si për bizneset e vogla, ashtu edhe për ato online. Prandaj, Flutura thotë që ndihet falënderuese për një mundësi si kjo.

“Pasi që kemi fatin të jemi gjeneratë e internetit atëherë jemi edhe falënderues për këto mundësi, të cilat është në dorën tonë nëse arrijmë që t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë ajo.

Pavarësisht sfidës për dërgesa të kornizave të personalizuara në vende të ndryshme të Evropës, për shkak të pandemisë, Flutura thotë që për “ndjenjën kornizë” që nga fillimi është shprehur mjaft interesim.

E duke qenë që rrjetet sociale janë aty për të gjithë, gjithsecili mund të shfrytëzojë atë për të sjellë diçka të re, pavarësisht se sa e panjohur në fillim mund të duket. Për këtë Flutura ka një këshillë.

“E pata lexuar se veç nëse fillon, menjëherë je disa hapa para të tjerëve. Andaj veç fillo. Rrugës duke u përballur me sfida të ndryshme e mëson se çka duhet dhe çka nuk duhet bërë”, përfundon krijuesja.

TË MBASH VESHJE QË KANË NJË HISTORI

Të shpenzuarit e kohës në diçka që e dashuron e njëkohësisht të përfituarit nga kjo, po e përjeton edhe Agnesa Sejdiu.

Përveç orarit të rregullt të punës që e bën çdo ditë, pjesën e mbetur të ditës, ajo e shfrytëzon në diçka plotësisht ndryshe, por me një dashuri po aq të madhe sa edhe për radion, që përveç profesion e ka edhe pasion.

“Gjithçka filloi kur fillova punën e re me një orar i cili më lejon të jem krejtësisht e lirë pas orës 1 në mesditë. Më duhej të gjeja diçka tjetër me të cilën mund të merren nga shtëpia dhe ta shfrytëzoj gjithë kohën e ditës që e kisha në dispozicion. Kështu fillova që të seleksionoj rrobat të cilat nuk i vesh më, ia kushtova një ditë fotografive dhe i postova në një llogari në instagram të cilën e kam quajtur ‘agsvintage’”, rrëfen Agnesa.

Ajo tregon se si ishte mbështetja ajo çfarë i ndihmoi në gjithë nismën e saj që kaherë e kishte menduar.

Kjo mbështetje ishte një shpërndarje e profilit të saj të ri, por që për Agnesën do të thotë shumë, sepse kështu arriti të rrjetizohej me ata që kishin stilin e njëjtë me të. Por, sa i kushtoi Agnesës kjo?

“Unë nuk kam pasur nevojë që të marrë ndonjë kredi biznesi për të nisur gjithçka. E kam filluar pa asnjë harxhim të vetëm. Më merr shumë kohë fotografimi i të gjitha produkteve, por ja vlen. Më ka marrë kohë edhe grumbullimi i një numri goxha të madh të njerëzve për të ndjekur faqen, por me durim dhe përkushtim arrihet gjithçka”, thotë ajo.

Ka një arsye të veçantë përse Agnesa ka zgjedhur të merret me ato që quhen veshje të dorës së dytë. Madje, ajo që fshihet pas idesë së saj, nuk është vetëm të shesësh, por shumë më shumë se kaq.

“Disa prej faktorëve më të rëndësishëm janë kursimi i një shume të majme të parave dhe ruajtja e ambientit. Industria e njohur si ‘fast fashion’ të cilat ndjekin trendet e veshjeve që janë vazhdimisht në ndryshim, njihet edhe si një prej ndotësve më të mëdhenj të mjedisit në kohën e sotme.”

“Ndoshta kjo mund të jetë një prej kauzave që ju i ndihmoni shumë nëse vendosni të blini vintage dhe veshje të dorës së dytë. Një gjë tjetër është e sigurt, që paraqitja e juaj në stil do të jetë shumë unike, por edhe kuletën nuk do të keni të zbrazur, edhe nëse blini disa herë brenda një muaji”, përfundon Agnesa.

TA ZBUKUROSH “DRITAREN”, E CILA TË LIDHË ME BOTËN

Meqenëse telefoni sot është shndërruar në një “gjymtyrë” pothuajse e pandashme e qenies tonë, mbase i duhet ndonjë aksesor, me të cilën përveç që mund ta bëjmë të duket bukur edhe të përçojmë ndonjë mesazh.

Për këtë sot kujdeset Melita Shabani. Edhe për Melitën ishte pikërisht periudha e pandemisë që filloi gjatë vitit të kaluar, që i dha aq kohë të lirë, sa që së bashku me vëllain e saj Agronin ta hidhnin në dritë atë që sot quhet “No Ordinary Case”.

“Si adhuruese e aksesorëve të telefonit jam gjithmonë në hulumtim të produkteve të reja, kështu në verën e vitit të kaluar hasa edhe në teknologjinë e re të printimit të fotrollave. Ideja që mund të printoj çdo gjë në një fotrollë më shtyu që ta analizoj konceptin si një mundësi për një biznes të vogël.”

“Ndryshe nga fotrollat ekzistuese, ky lloj i ri janë më të qëndrueshme dhe me kualitet më të lartë. Duke analizuar tregun në Kosovë dhe rrethin pashë që ka hapësirë për të sjellë diçka të re, që ende nuk ka arritur këtu”, shprehet Melita.

Për dallim prej disave që ndoshta e kanë pasur të vështirë se si ta menaxhojnë një biznes të filluar në rrjete sociale për Melitën kjo nuk ishte edhe aq e vështirë, meqë përveç modelimit profesioni i saj është edhe marketingu në rrjete sociale.

“Si çdo biznes startues fillimi është gjithmonë i vështirë. Kam pasur një përparësi shumë të madhe pasi që vetë merrem me marketing të rrjeteve sociale, ishte një plus i madh në lancim të biznesit tim. Rrjetet sociale sikur për promovim të No Ordinary Case, po ashtu edhe në zhvillimin e karrierës sime si modele kanë pasur një rol jashtëzakonisht të madh.”

“Është përparësi e jona që kemi platforma të cilat nuk kanë barriera në arritshmëri të publikut pa marrë parasysh vendit ku jetojmë, është e lehtë të arrish publikun nga njëri cep në cepin tjetër të botës”, tregon Melita.

Detajet janë ato që e perfeksionojnë një punë, por Melita këshillon që të rinjtë dhe të rejat të mos presin momentin deri kur gjithçka është planifikuar në detaj.

“E rëndësishme është të startosh rrugën, të tjerat arrihen me kohë”, përfundon ajo./Gazeta Sinjali/