Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një infografikë, nëpërmjet së cilës ka krahasuar çmimet e produkteve ushqimore, gjatë muajit maj të vitit të kaluar dhe vitit aktual.
Bazuar në infografikën e publikuar nga Mustafa, mielli është shtrenjtuar për 26 centë, vaji për 1 euro e 23 centë, buka e bardhë për 11 centë, domatet për 77 centë, vezët për 1 euro e 7 centë, qumështi për 18 centë, patatet për 13 centë, ndërsa specat e pa djegëst për 2 euro e 60 centë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, rritja e çmimeve është 12.5 përqind, kësisoj ka kërkuar që Qeveria ta largojë urgjentisht akcizën në derivate dhe TVSH-në në ushqim, derivate e energji.
“Rritja e çmimeve 12,5%! Qeveria duhet urgjentisht të largojë akcizën në derivate dhe TVSh-në në ushqim, derivate dhe energji“, ka shkruar deputeti Mustafa.