Veteranët e luftës në Kosovë nuk do të kenë rritje të pensioneve në bazë të pagës minimale.
Qeveria e Kosovës ka menduar ndryshimin e nenit për përcaktimin e pagesës së veteranëve.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka konfirmuar se nuk do të ketë rritje për këtë kategori.
Murati ka deklaruar se paga minimale paguhet për një orë të punës, ndërsa skemat pensionale dhe sociale përcaktohen në bazë të meritës dhe të kategorisë.
“Në vitin 2017, ka ndryshuar ligji për Veteranët, është votuar në Kuvend. Është fshirë neni 18, që thotë se paga e veteranit përcaktohet me vendim të Qeverisë, por jo më pak se paga minimale. Ai vendim është fshirë. Kështu që, në projektligjin që ne kemi shtyrë përpara, për të qenë të sigurt juridikisht, kemi vendosur që paga minimale kudo që bëhet për skemat pensionale dhe sociale të bëhet kjo shkëputje, që të mos kemi këtë problem. Nuk qëndron kjo. Paga minimale është paga që paguhet për një ore në punë, skemat pensionale dhe sociale pastaj përcaktohen në bazë të meritës, kategorisë”, ka thënë ai në RTK.
Ndërkaq, Faton Klinaku, Sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK ka thënë se me automatizëm paga e një veterani do të jetë 250 euro neto, në rast se vendimi hyn në fuqi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot ka rritur pagën minimale në 264 euro, nga 130 dhe 170 sa ishte.
Me këtë vendim nuk janë pajtuar sindikatat e punëtorëve në Kosovë, të cilat kanë kërkuar që paga minimale të jetë 400 euro.