image Rritja e çmimit të rrymës/ Hoti del me propozime për daljen nga kriza

Politikë

Rritja e çmimit të rrymës/ Hoti del me propozime për daljen nga kriza

news image

Paralajmërimi për shtrenjtimin e çmimit të rrymës ka ngjallur reagime në mesin e qytetarëve dhe paralajmërime për protesta nga partitë opozitare.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ku ka publikuar një reagim/analizë të gjatë në profilin e tij në të cilin jep disa udhëzime për dalje nga kjo gjendje dhe për gjetjen e një zgjidhje afatgjate.

Hoti thotë se Qeveria Kurti ka bërë një gabim strategjik gjeopolitik kur ka vendosur që të refuzojë projektin e gazsjellësit të financuar nga MCC-ja, e që sipas tij do të ishte një zgjidhje e duhur që do të rezultonte me një pavarësim energjetik.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës jep edhe dy zgjidhje afatshkurta për krizën dhe liston më tej propozimet e tij për një zgjidhje afatgjate për punën e energjisë në Kosovë.

Reagimi i plotë:

ENERGJIA ËSHTË RESURS EKONOMIK DHE GJEOPOLITIK

Sot energjia nuk është vetëm resurs ekonomik, por edhe gjeopolitik. Kjo gjë duhet kuptuar qartë për të bërë zgjidhjen e duhur për furnizim stabil dhe pavarësi energjetike. Qasja gjeopolitike në fushën energjetike e qeverisë së kaluar ka qenë ndër arsyet kryesore për miratimin e projektit të gazit me MCC, të cilin Maqedonia e Veriut e nënshkroi para një muaji. Projekti i MCC-së përfshinte termocentralin me gaz, bateritë akumuluese dhe investimet në rrjet energjetik për të ulur humbjet. Refuzimi i këtij projekti nga qeveria aktuale ka qenë gabim strategjik i Kosovës, me kosto afatgjatë ekonomike dhe politike.

Është fakt se kriza energjetike në Kosovë është e imponuar nga jashtë. Por, sa e rëndë do të jetë kjo krizë për qytetarët, përcaktohet në masë të madhe nga veprimet e qeverisë. Kriza energjetike u paralajmëruar në fund të verës së vitit të kaluar. Disa shtete reaguan menjëherë me blerje të energjisë, planifikim të buxhetit dhe përgatitje të qytetarëve dhe bizneseve për krizën. Disa shtete e neglizhuan këtë paralajmërim. Kosova hynë më parë në mesin e shteteve që e neglizhuan paralajmërimin për krizë pasi nuk u ndërmor asnjë veprim që propozohej nga ekspertët e fushës.

1. ÇFARË TË BËJMË NË AFAT TË SHKURTËR?

Çmimi i energjisë nuk duhet të rritet nën presione momentale të tregut. Çmimi i energjisë duhet të rritet vetëm si rezultat i një strategjie afatgjate të investimeve në energji për të reflektuar kostot e investimeve, të cilat duhet të jenë të arsyetuara në detaje.

Në afat të shkurtër, janë dy masa që duhet ndërmarrë.

E para, duhet të bëhet subvencionimi i energjisë. Kjo është forma e vetme për të parandaluar rritjen e çmimit për konsumatorë dhe biznese. Megjithëse në mënyrë indirekte subvencionin e paguan taksapaguesi, subvencionimi i tillë i energjisë nuk shkakton çrregullime të tregut që vijnë nga rritja e kostos së jetës për qytetarë dhe kostos së prodhimit për biznese. Rritja e çmimit të energjisë për konsumatorë i prek disproporcionalisht familjet me të ardhura të ulëta. Rritja e çmimit të energjisë vetëm për biznese është mashtrim, sepse kjo i bartet konsumatorit përmes çmimeve më të larta të mallrave që rezultojnë nga rritja e kostove të prodhimit dhe, për më tepër, kjo e përkeqëson aftësinë konkurruese të bizneseve tona në tregun vendas dhe ndërkombëtar.

E dyta, në konsultime me ekspertët e fushës dhe me disa ndryshime eventuale, duhet konsideruar kthimi i sistemit të mëparshëm të tarifave të energjisë për të nxitur kursimin e energjisë. Raporti i fundit i ZRRE-së tregon qartë se rritja e konsumit të energjisë në tri vitet e fundit në masë të madhe i atribuohet ndryshimit të strukturë së tarifave të energjisë në vitin 2017. Me tarifat ekzistuese duket se nuk ka nxitje të mjaftueshme për kursim të energjisë.

2. CILA ËSHTË ZGJIDHJA AFATGJATË?

Në afat të gjatë, duhet detyrimisht të rriten kapacitetet dhe të sigurohet pavarësia energjetike. Kjo bëhet përmes katër masave, që duhet të shkojnë paralel me njëra-tjetrën.

E para, përmes projektit të MCC-së që përfshinë: (1) termocentralin me gaz prej 200 MËh, (2) bateritë për akumulim të energjisë dhe (3) investimin në rrjetin e shpërndarjes për të ulur humbjet. Këto investime mund të bëhet relativisht shpejt, veçanërisht bateritë dhe investimet në rrjet. Me qasjen refuzuese të çdo projekti të qeverive paraprake, u refuzua projekti i gazit me MCC-në dhe financuesit e tjerë duke u arsyetuar se duhet rillogaritur kostot dhe përfitimet edhe pse studimi i MCC-së ishte përgatitur për tri vite me radhë nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë. 

E dyta, investimi në rivitalizim të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B përmes teknologjisë moderne që përmbush në masë të pranueshme kriteret ambientaliste. Rivitalizimi i termocentralit Kosova A duhet të bëhet derisa të modernizohet Kosova B për të prodhuar energji të mjaftueshme dhe të qëndrueshme. Investimi në këto termocentrale është shumë i shtrenjtë pasi duhet plotësuar kriteret ambientaliste, si dhe duhet paraparë koston në formë të taksës ambientaliste për emetimet e CO2. Qeveria ekzistuese ka qenë shumë refuzuese edhe ndaj projektit Kosova C, i cili do të ishte alternativë më e përshtatshme sesa rivitalizimi i termocentraleve ekzistuese.

E treta, investimet në kapacitete energjetike duhet të bëhen në kontekst të qasjes komplementare në furnizim energjetik me Shqipërinë. Bazuar në një marrëveshje ndërshtetërore, këtu përfshihet ndërtimi i një hidrocentrali nga Kosova në territorin e Shqipërisë dhe vënia në dispozicion e termocentraleve me thëngjill për nevoja të Shqipërisë.

E katërta, duhet zgjeruar shumë më tepër programet ekzistuese të masave për kursim të energjisë në amvisëri, të cilat financiarisht mbështetet me disa linja kreditore që janë miratuar në qeveritë e kaluara. Duhet investuar më shumë, por me kujdes ndaj ruajtjes së ambientit, në burimet e ripërtërishme energjetike. Të dyja këto ndihmojnë vetëm marxhinalisht në furnizimin stabil me energji, por mundësojnë përmbushjen e kritereve të vendosura nga BE-ja.

/GazetaSinjali/