Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e transportit dhe telekomunikimit për tremujorin e parë të këtij viti, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor dhe Telekomunikimin.
Gjatë tre muajve të parë të 2021-ës, kjo agjenci njofton se transporti i mallrave me tren është rritur për 85 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, raporton Gazeta Sinjali.
“Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2021, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 16 mijë, ku krahasuar me TM1 të vitit 2020, numri i pasagjerëve është zvogëluar për (-21.34%). Transporti i mallrave me tren në TM1 2021 ishte rreth 187 mijë tonë, ku krahasuar me TM1 2020 është një rritje për 85%.”
Në anën tjetër, ASK njofton se për këta muaj është ulur për 23.44 për qind numri i qytetarëve që kanë udhëtuar me aeroplan.
“Ndërkaq, sa i përket numrit të fluturimeve, në TM1 2021 ishin 1 317 fluturime, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2021) ka një ulje për (-14.14%). Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti ishte rreth 330 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM1 2021) ka një ulje për (-23.44%)“./Gazeta Sinjali/