Drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli, ka bërë të ditur se në tre muajt e parë të këtij viti janë kryer 2 142 lindje, mbi 210 më shumë se vitin e kaluar.
“Për tre muajt e parë të këtij viti janë 2 142 lindje dhe krahasuar me tre muajt e parë të vitit të kaluar kemi diku 215 deri në 216 lindje më shumë se tre muajt e vitit të kaluar”, ka thënë Ismajli.
Ai tutje shtoi se nga kjo shifër që është cekur 824 lindje janë me prerje cezariane. Kjo shifër është pak më e lartë duke e pasur parasysh se gjatë kohës së pandemisë kemi një referim të pacienteve të cilat kanë nevojë për ndërhyrje operative nga spitalet regjionale të Kosovës.
Tutje shtoi se janë të furnizuar mjaftueshëm me barna dhe material shpenzues.
“Pothuajse ka më shumë se një muaj që nuk kemi asnjë paciente të hospitalizuar me COVID-19 në klinikë”, vijoi tutje ai, shkruan EO.
“Nga lista esenciale për momentin kemi sasi të mjaftueshme edhe të barërave edhe të materialit shpenzues. Për momentin nuk i detyrojmë pacientët të blejnë as barëra e as material shpenzues”, përfundoi Ismajli.