Gjatë vitit të kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës janë trajtuar gjithsej 18 raste të tumorit të fshikëzës urinare, ndërsa vetëm dy muajt e parë të këtij viti në këtë spital janë gjashtë raste të prekura me këtë sëmundje, duke e rritur kështu numrin e këtyre rasteve për 600%, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas
Shkelzen Elezajt i cili është urolog në këtë spital, vetëm gjatë dy muajve të
parë të këtij viti janë regjistruar gjashtë raste të prekura me sëmundje të
tillë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur u regjistrua
vetëm një rast me tumor të fshikëzës urinare.
“Vitin e kaluar kemi pasur gjithsej 18 raste me tumor të fshikëzës urinare,
gjersa vetëm në 2 muajt e parë të këtij viti kemi pasur 6 raste me tumor te
fshikëzës urinare çka është një rritje e frekuencës së tumoreve të fshikëzës
urinare prej 600% ne krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ne
periudhën Janar – Shkurt të vitit të kaluar kemi pasur vetëm një rast me tumor
të fshikëzës urinare”, tha Elezaj për Gazetën Sinjali.
I pyetur se a ka staf dhe kushte të mjaftueshme Spitali i Pejës për trajtimin e kësaj sëmundje, Elezaj tha se ky spital disponon staf mirë të trajnuar dhe aparatura moderne për trajtimin e këtyre patologjive.
Kurse, shkaktari më i shpeshtë i kësaj sëmundje, sipas urologut, është pirja e duhanit dhe se personat që rrezikojnë të preken nga kjo patologji janë ata që punojnë me benzen dhe betanftilamini.
“Shkaktari më i shpeshtë i paraqitjes së tumoreve të fshikëzës urinare është pirja e duhanit, ndonëse tumoret e fshikëzës urinare shpesh paraqiten te punëtorët që punojnë me substanca kimike si psh. Benzeni dhe betanftilamini, punëtoret në fabrikën e gomës, lëkurës, tekstilit, ngjyrave, frizerët, vozitësit profesionistë etj”, tregoi Elezaj./Gazeta Sinjali/