Institucionet në Kosovë janë duke përcjellë zhvillimet në botë në lidhje me pneunominë virale koronavirus.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë Uran Ismaili, gjatë një takimi sot me krerët e institucioneve relevante shëndetësore në vend është njoftuar rreth situatës aktuale me koronavirus dhe kërkoi nga mekanizmat shtetërorë e institucionalë që të jenë në gatishmëri në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.
Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka konfirmuar se në Kosovë nuk ka asnjë rast me koronavirus dhe se rrezikshmëria për këtë virus në vendin tonë është e ulët, ndërsa drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, konfirmoi se janë të gatshëm për menaxhimin e rasteve eventuale dhe përcjelljen e situatës.
Institucionet shëndetësore në Kosovë sigurojnë të gjithë qytetarët se janë duke marrë të gjitha masat adekuate, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. /Gazeta Sinjali/