image Rreth 400 mijë persona në Kosovë pas më pak se 3 muajsh mund të mbesin pa paga

Kosovë

Buxheti/ Rreth 400 mijë persona në Kosovë pas më pak se 3 muajsh mund të mbesin pa paga

news image

Rreth 400 mijë persona nuk do t’i marrin pagat pas 2 muajve nëse nuk formohen institucionet e reja në vend.

Shqetësimi i këtyre 400 mijë personave vjen për shkak të mosmiratimit të buxhetit të Kosovës për vitin 2020, pa përfshirë këtu edhe ata që marrin subvencione shtetërore.

I tërë ky kolaps shtetëror, vendit mund t’i vije për shkak të mungesës së institucioneve të reja qeverisëse.

Alarmin për këtë e ka dhënë edhe vetë Ministria e Financave, e cila ka paralajmëruar se në rast të mos miratimit të ligjit të ri për buxhetin nga Qeveria e re dhe Kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurti.

Propozim-buxheti për vitin 2020 është dorëzuar në Qeveri më 31 tetor 2019, por kjo e fundit nuk ka mundur të aprovojë projektligjin e buxhetit dhe ta dërgojë në Kuvend, pasi ky i fundit nuk ishte i konstituar.

Ministria e Financave përmes një komunikate për media ka sqaruar se propozim-buxheti mund të trajtohet dhe procedohet vetëm nga Qeveria e re te Kuvendi i konstituuar, si organe të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Në pajtim me autorizimet ligjore të LMFPP, Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e tij për organizatat buxhetore, për 2 muaj të vitit 2020, ose 16.67% e ndarjeve finale vjetore të vitit 2019, përkatësisht deri me datën 28 shkurt 2020, pasi është plotësuar kushti sipas nenit 24, paragrafi 1a i LMFPP, përkatësisht për shkak se zgjedhjet janë mbajtur në 4 muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal, si situatë e përcaktuar në LMFPP.

Në pajtim me nenin 24, paragrafi 2 i LMFPP, vetëm Kuvendi mund të vendosë për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për 1 muaj, përkatësisht për periudhën deri më 31 mars 2020.

Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.

Pas kalimit të afateve të lartpërmendura (28 shkurt, përkatësisht 31 mars), sipas kufizimeve të LMFPP, përkatësisht nenit 24, paragrafi 3, nëse ndarjet e lartpërmendura kanë skaduar dhe Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore nuk është miratuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore.