image Rreth 40 mijë persona hoqën dorë nga pasaporta e Shqipërisë

Shqipëri

Rreth 40 mijë persona hoqën dorë nga pasaporta e Shqipërisë

news image

Pas Marokut dhe Sirisë, dy nga shtetet më me shumë probleme qeverisëse, të cilat kanë shkaktuar luftë civile dhe kanë prodhuar një mjedis aspak social për të jetuar, shqiptarët janë të tretët në botë që kanë kërkuar dhe kanë përfituar një pasaportë të një vendi tjetër.

Mbi 40 mijë shqiptarë, “dogjën” pasaportën e vendit mëmë në vitin 2020. Rreth 70% e këtij numri morën pasaportë italiane, ndërsa pjesa tjetër lakmuan shtetësinë e një vendi tjetër europian. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” mbeti një thirrje vajtuese e tri dekadave rresht. Shqipëria nuk u bë si Europa, por shqiptarët u bënë europianë.

Shqipëria po shpopullohet! Mbi 1.7 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi në 30 vite. Këto janë shifra zyrtare të OKB-së, por ka me mijëra shqiptarë të tjerë që nuk janë deklaruar dhe vijojnë të punojnë, jetojnë e fshihen në Europë. Po përse po largohen shqiptarët?

Në 30 vite nuk është bërë asnjë përpjekje që të rinjve, të arsimuarve apo edhe profesionistëve t’u ofrohet mundësia e punësimit. Në administrata janë punësuar fëmijët e politikanëve, të afërmit e tyre, njerëz që kanë paguar për të hyrë në një vend pune.

Kanë hyrë në punë militantët, përfaqësuesit e forumeve rinore të partive, ata të cilët kanë mbledhur vota e ata që kanë shitur vota. Në këtë mënyrë, vendet e punës janë zënë para se të dalë një njoftim se “kërkohet një profesionist/e në këtë sektor”.

Shqiptarët dhe fëmijët e tyre kanë punuar kamarierë, në call center, në furra buke, në fasoneri, apo shumica kanë mbetur në punën e rëndë të fshatit. Të gjithë këta nuk kanë marrë më shumë se një pagë minimale, ndërkohë ata që përmendëm pak më lart kanë marrë rroga shteti, rehatinë e zyrave, dieta, shërbime e gjithçka kanë dashur, falë taksave që paguanin pikërisht këta të diskriminuarit.

Atëherë përballë këtyre padrejtësive cila ka qenë zgjidhja? Largimi! Pjesë e të larguarve janë edhe shtresa e mesme, ata të cilët punonin si mjekë, inxhinierë, pedagogë, arkitektë, ekonomistë, juristë etj… Janë ata qytetarë që mendojnë ndryshe, gjykojnë ndryshe dhe votojnë jo sipas bastioneve politike, por duke kritikuar me votë një qeverisje të gabuar.

Janë larguar ata të cilët kanë dashur të hapin një biznes të vogël, por monopolet e të mëdhenjve i kanë bërë të mos krijojnë hapësirë në tregun e lirë, apo edhe të falimentojnë. Këta qytetarë dhe këta të rinj punëtorë qeveria nuk i do, nuk i kontrollon dot, sepse nuk iu shërbejnë partive. Mënyra më e mirë është t’i largojnë nga vendi, fillimisht duke i lënë pa punë e së dyti duke mos krijuar treg pune dinjitoze për të jetuar me të ardhura të mjaftueshme. Jo, kjo nuk është zgjidhja.

Për t’u kthyer besimin shqiptarëve që të mos kërkojnë pasaporta europiane, fillimisht duhet të ketë meritokraci. Duhet që fëmijët e politikanëve dhe të shqiptarëve të arsimohen në të njëjtat shkolla. Duhet që shqiptarët të punojnë në të njëjtat ambiente që punojnë të afërmit e politikanëve. Duhet që punën ta fitojë më i afti, e jo më militanti.

/GazetaSinjali/