Me datën 4 dhe 14 qershor rreth 24 mijë nxënës do t’i nënshtrohen testit të Arritshmërisë. Këtë vit ky test ka pësuar ndryshime, pasi organizimi i tij do të bëhet në dy ditë. Testi do ketë 200 pyetje në 5 lëndë shkencore dhe në 4 lëndë shoqërore. Njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se ndryshimet duhet të ndodhin, por sipas tyre, problem vazhdon të jetë administrimi i procesit të testimit.
Në këtë vit shkollor testi i Arritshmërisë ka pësuar ndryshime për sa i përket numrit të pyetjeve dhe kohës së mbarëvajtjes se tij. Rreth 24 mijë semimaturantë do t’i nënshtrohen testit të Arritshmërisë me 4 dhe 14 qershor. Se këtë vit do të ketë ndryshime, e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën zëdhënësja e Ministrisë se Arsimit, Iliriana Pylla. Ajo tha se qëllimi i këtij ndryshimi është që vlerësimi i njohurive dhe shkathtësive të nxënësve, të bëhet në të gjitha lëndët relevante.
“Testi i Arritshmërisë për klasat e nënta këtë vit do të organizohet në dy ditë. Në ditën e parë, me 4 qershor, do të organizohet testi në lëndët shoqërore dhe në ditën e dytë, me 14 qershor, në lëndët shkencore. Qëllimi i këtij ndryshimi është që të mundë të fokusohemi me shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve në të gjitha lëndët relevante dhe jo të shkojmë në një numër të vogël pyetjesh”, tha ajo.
E, njohës të arsimit, ndryshimet që janë bërë për sa i përket organizimit të testit të Arritshmërisë në dy ditë, po e vlerësojnë si të mirëseardhur. Mustafë Kadriu, i cili ka qenë i përfshirë në vlerësimet e jashtme që janë bërë për nxënësit e Kosovës tha se problem vazhdon të mbetet keqadministrimi i procesit të testimit.
“Mirë është që ka ndryshime dhe gjithmonë duhet të ndryshohet. Por qëllimi i ndryshimit duhet të jetë vlerësimi sa më objektiv i njohurive të nxënësve. Ndryshimet duhet të ndodhin në organizimin e testit ku administrimi është pika me e dobët e këtij procesi”, tha ai.
Më 4 qershor nxënësit do t’i nënshtrohen testit në lëndët shoqërore: gjuhë shqipe, gjuhë angleze, histori dhe gjeografi. Ndërsa, me 14 qershor do të hyjnë për testim në lëndët shkencore: matematikë, informatikë, fizikë, kimi e biologji. Rezultatet e testit të Arritshmërisë do të shpallen me datë 21 qershor.
Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve. Njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta ky rezultat do t’u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta.