image Rreth 200 serbë marrin pagë pa shkuar në punë, Murati fajëson Qeveritë e kaluara

Financa

Rreth 200 serbë marrin pagë pa shkuar në punë, Murati fajëson Qeveritë e kaluara

news image

Mes tensioneve pozitë dhe opozitë nisi mbledhja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Gjatë raportimit të ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës për vitin 2021, është kritikuar nga opozita për vazhdimin e dhënies së pagave për 199 zyrtarë serbë pa shkuar në punë fare.

Në këtë raportim për Raportin Financiar të Buxhetit të Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se viti i kaluar ka qenë një vit sfidues për menaxhimin e buxhetit të shtetit, pasi që sipas tij qeveria dhe qytetarët u ballafaquan me pandeminë Covid-19, e cila si rrjedhojë pati pasoja edhe në ekonomi.

Për të gjeturën e evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) lidhur me pagesat e serbëve pa dalë në punë, ministri Murati premtoi se do ta adresojnë çështjen e pagesave për 199 punonjësit nga komuniteti serb.

Për këtë shkelje, ai fajësoi edhe qeveritë e kaluara.

“Marrëveshja e 2015 cila është ratifikuar në kuvend dhe në atë kohë në koalicion qeverisës keni qenë edhe ju (PDK). Kështu që ju keni ratifikuar një marrëveshje të tillë, pra përgjegjësia bie mbi ju. Dhe tani përgjegjësia se kur dhe sa shpejt do të zgjidhim këtë problem normalisht që na takon neve, por ta dimë adresën se kush e ka shkaktuar këtë problem. Dhe tani po më pyetsi mua se a do ta zgjidhim. Po, do ta zgjidhim”, tha Murati.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, i ka thënë ministrit të Financave, Hekuran Murati, se pushteti aktual i ka lodhur duke ua përmendur 20-vjetshin e kaluar.

“Na keni lodhë me këto 20 vjet. Gabim je, gati 20 muaj i bëtë qeverisje, më vjen keq, por nëse ti je ministër i dështuar, duhesh me u deklaru, sepse këta 199 punonjës ke mundur dy muaj me iu dhënë afat, hiq më shumë e jo 20 muaj. Ti përderisa nuk ke marrë masa më herët, duhesh me u arsyetu në qeverisjet e kaluara. Ti 20 mijë mësimdhënësve ua ke ndaluar pagat me arsyetimin se nuk po punojnë. Këta serbë nuk kanë punuar, pse ua ke dhënë pagat?”, pyeti Bytyqi.

Ndërsa, deputeti nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj u shpreh se të gjeturat e auditorit janë serioze, sidomos për 13 të gjetura në kategorinë e pagave dhe mëditjeve.

“Kemi pasur një vërejtje nga auditori që është serioze, kështu ZKA ka identifikuar 13 të gjetura në kategorinë për paga dhe mëditje, si; angazhimi i stafit pa procedura të rekrutimit, mungesa e dëshmive për vijueshmëri në punë, ushtrimi i pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara dhe dobësi në procedura të rekrutimit të personalit në shërbimin civil”, tha Qalaj.

Kurse, deputeti i Vetëvendosjes Eman Rrahmani tha se pagesa rreth 10 milionë euro në vitin 2021 për përmbaruesit privat është alarmante.

Derisa për çështjen e pagave për serbët, Rrahmani tha se si deputet prej ditës së parë e ka ngritur këtë shqetësim.

“Çështje shumë problematike e cila duhet të na alarmojë të gjithëve dhe që kërkohet zgjidhje, është fjala për rreth 10 milionë euro humbje nga buxheti i Kosovës për vitin 2021 për shkak të pagesave përmbarimore dhe vendimeve gjyqësore. Ndërsa, rreth pagesave të 199 zyrtarëve, besoj që kam qenë deputeti që prej ditës së parë kam ngritur këtë shqetësim, dhe deri sot nuk kam dëgjuar asnjë herë deputetët e këtij komisioni derisa ka ardhur raporti i punës për qeverinë Kurti , nuk është që është ngritur si problematikë. Kështu që kemi qenë të vetmit nga Vetëvendosje që kemi kërkuar”, tha Rrahmani.

Deputetë të tjerë në këtë komision patën vërejtje për mos realizimin e projekteve kapitale, veçmas të atyre infrastrukturore, raporton kp.

/GazetaSinjali/