image Rreth 200 mërgimtarë kontrollohen në Merdarë, njëri që erdhi nga Gjermania dyshohet për koronavirus

Kufiri/ Rreth 200 mërgimtarë kontrollohen në Merdarë, njëri që erdhi nga Gjermania dyshohet për koronavirus

news image

Afër 200 persona që nga ora 7 e mëngjesit të ditës së sotme e deri në orën 13 kanë hyrë në Kosovë, nga pika kufitare në Merdarë, ku shumica e këtyre personave që vijnë në Kosovë janë nga Gjermania, Austria, Kroacia dhe Serbia.

Të gjithë personat që hyjnë në këtë pikë kufitare i janë nënshtruar kontrollit mjekësor për koronavirus, e gjatë ditës së sotme një person që kishte ardhur në Kosovë nga Gjermania përmes kësaj pike kufitare është dërguar në Klinikën Infektive si i dyshuar me këtë virus.

Doktoresha Shqipe Ramadani, tha se në këtë pikë kufitare janë kontrolluar të gjithë udhëtarët që kanë hyrë në Kosovë.

Ajo ka dhënë detaje rreth personit që është dyshuar i infektuar me koronavirus, derisa thekson se i njëjti ka pasur temperaturë të lartë.

“Çdo individ i cili hynë e sidomos ata që kanë qenë prej vendeve që ka pasur të dhëna se ka të infektuar me koronavirus, kurse tani e tutje prej kur është shpallë pandemi nga OBSh detyrohemi çdo njërin me e kontrollua…Procedura është se e kontrollojmë për temperaturën që është prej simptomave kryesore të cilat ne bazohemi. Mirëpo, në rast se ka temperaturë të lartë atëherë neve duhet me i marrë edhe të dhënat e tjera, në bazë të cilës a ka pasur kontakte me dikë që ka qenë i infektuar më herët, nëse po atëherë neve jemi të detyruar të bëjmë izolimin e atij personi, ta vëmë në karantinë. Pak më parë patëm një rast të cilën e dërguam në Klinikë me temperaturë pak të lartë, tash neve na konfirmohen të dhënat prej Institutit ose Klinikës Infektive do të jetë apo jo i infektuar”, tha ajo.-

Ramadani tha se si staf mjekësor nuk janë pajisur mjaftueshëm me material mbrojtës nga koronavirusi.

“Të them të drejtën duke llogaritur në atë që është ndarë buxhet nga qeveria e Kosovës nuk jemi të kënaqur. Unë personalisht për vetën time jo, kemi por jo mjaftueshëm, sepse pajisjet mjekësore duhet të ndërrohen kohë pas kohe sepse kemi shumë udhëtarë e ne jemi të detyruar t’i mbajmë kohë më të gjatë. Nuk po na vinë mjaftueshëm, unë iu kisha thënë që duhet të kenë kujdes të na furnizojnë më mirë dhe më shumë”, tha ajo.

Përveç udhëtarëve që hynin në Kosovë, një numër i madh i qytetarëve përmes pikës kufitare Merdarë lëshonin Kosovën.

Qytetari Erkan Hamza, është një nga ata që gjendej në Kosovë për pushime e që pas paralajmërimeve për mbyllje të kufijve po kthehej në Austri.

Kujtojmë se në Kosovë nuk është shënuar ndonjë rast me koronavirus, ndërsa sot Shqipëria ka mbyllur kufirin me Kosovën./Gazeta Sinjali/