image Rregullat e reja për COVID-19 mund t’ia rrezikojnë Gjokoviqit pjesëmarrjen në 'French Open'

Sporte të tjera

Rregullat e reja për COVID-19 mund t’ia rrezikojnë Gjokoviqit pjesëmarrjen në ‘French Open’

news image

Franca do t’i ashpërsojë rregullat e vaksinimit në një mënyrë që mund t’ia rrezikojnë pjesëmarrjen në turneun “French Open” tenistit serb, Novak Gjokoviq.

Nga 15 shkurti, kushdo që nuk është i vaksinuar kundër koronavirusit duhet të dëshmojnë që kanë dalë pozitiv për COVID-19 brenda katër muajve të fundit – më pak se masa e tanishme prej gjashtë muajve – për të hyrë në terrene sportive në Francë, shkruan televizioni kanadez, CTV.

Ligji francez është pjesë qendrore e planit të qeverisë për ta luftuar përhapjen e virusit dhe me të synohet që personave të pavaksinuar t’u ndalohet qasja në stadiume, restorante, kafene dhe hapësira të tjera publike.

Tenisti i pavaksinuar serb ka thënë se ka dalë pozitiv me COVID-19 në mesin e dhjetorit. Sipas rregullave të tanishme për periudhën 6-mujore, ai do të mund të luante në “French Open”, që fillon më 22 maj.

Por, nëse rregullat e reja mbeten në fuqi deri më këtë datë, ka gjasë që ato ta përjashtojnë Gjokoviqin nga turneu, nëse ai nuk vaksinohet ose nëse nuk del përsëri pozitiv në testim brenda katër muajve para fillimit të garës.

Ndryshe, Gjokoviqi është kampion në fuqi në “French Open”. Këtë muaj, atij iu ndalua pjesëmarrja në “Australian Open” dhe u dëbua nga Australia për shkak të rregullave të rrepta të këtij vendi për vaksinim kundër COVID-19.

/Gazeta Sinjali Sporti/