image Rrëfimi rrëqethës i të shëruarit nga koronavirusi: Mendova se do të vdisja

Botë

Pandemia/ Rrëfimi rrëqethës i të shëruarit nga koronavirusi: Mendova se do të vdisja

news image

Një 61-vjeçar britanik ka vendosur të ndajë historinë e tij rrëqethëse të përballjes me koronavirusin. Hylton Murray-Philipson ka qëndruar në ventilator i intubuar për pesë ditë dhe ende nuk po percepton qartë se si ka shpëtuar.

Rrëfimi:

Isha i sëmurë në shtëpi me simptoma të koronavirusit për 10 ditë para se të shkoja në spital. Gjatë kësaj kohe, babai im 92-vjeçar vdiq. Unë nuk e pashë atë në javën e fundit të jetës së tij. Nëna ime 84-vjeçare, e cila jeton me mua, gjithashtu filloi të shfaqë simptoma, si edhe një nga motrat e mia.

Edhe pse dëgjoja raportimet mbi koronavirusin në radio, ishte e vështirë të mendoja se po ndodhte me mua. Kam pasur një temperaturë të vazhdueshme prej 40 gradësh. Telefonova urgjencën, por u desh një kohë shumë e gjatë që të arrija të hyja në linjë, dhe edhe kur lidhja u krye, këshillat ishin mjaft të përgjithshme.

Dy ditë më vonë, jo vetëm që pata temperaturë dhe kollë, por papritmas u ndjeva mjaft i dobët dhe rashë në dysheme me të vjella. Unë jam këmbëngulës përballë sfidave dhe gjithmonë ndihem sikur do t’ia hedh dhe se dikush tjetër ka nevojë për ndihmë më shumë se unë. Por një mik më bëri që t’i premtoj se do t’i telefonoja një ambulance. Unë u rruajta, bëra gati një palë pizhame dhe telefonova numrin. Ambulanca erdhi shumë shpejt, edhe pse ne jemi mjaft larg. Ata bënë disa kontrolle dhe thanë që do të shkoja me ta. Kështu filloi qëndrimi im në infermierinë e “Leicester Royal”.

Isha nën vëzhgim për një natë. Të nesërmen ata thanë se do të më çonin në njësinë e kujdesit intensiv (ICU).

Më mbanin me oksigjen, serum, një kateter, antibiotikë dhe morfinë. Kisha një pajisje në gojë që të më ndalonte të mbytesha dhe një tub deri poshtë fytit në mushkëri, gjë e dhimbshme dhe e pakëndshme, por më mbajti gjallë. Vetëdija ime vinte dhe ikte. Kur kollitesha nuk mund të thithja frymë për shkak të tubit në fyt, kështu që fillova të kisha panik. Unë kisha ndjesinë se do të mbytesha dhe do të vdisja. Kapja anën e shtratit ose dorën e dikujt, duhej të qetësohesha.

Mbaj mend një infermiere që më fshinte ballin me një peshqir të lagur dhe vendoste zbutës në buzët e mia shumë të thata. U ktheva si një fëmijë, isha plotësisht i varur nga të tjerët për gjithçka.

Pas një kohe, fillova të kisha dyshime se sa gjatë mund të vazhdoja ta bëja këtë sepse u lodha shumë nga lufta për të marrë frymë. Më vinin ndër mend copëza kujtimesh nga të gjitha llojet e kohërave të ndryshme në jetën time. Unë besoj shumë dhe ideja që do të bija në krahët e një Zoti të dashur, u bë mjaft tërheqëse. Do të kisha mundësi të ribashkohesha me gruan time, të cilën e dua shumë, dhe që vdiq katër vjet më parë.

Gjëja, për të cilën ende po përpiqem të sjell ndër mend, është çfarë më ndikoi dhe më bëri të mendoj që nuk mund të hiqja dorë dhe se kisha ende gjëra për të bërë këtu. Fillova të mendoj për djemtë e mi, të cilët janë pak a shumë të rinj për të mbetur vetëm, dhe nënën ime – ideja që ajo të humbasë burrin e saj dhe djalin e saj të vetëm brenda një jave, ishte e tmerrshme.

Pata mbështetje nga një grup i jashtëzakonshëm njerëzish nëpër botë, të cilët po luteshin për mua, ndjeva se nuk mund t’i lija. Ndihem sikur kam diçka për të kontribuar, si një fermer i interesuar për qëndrueshmërinë dhe i përfshirë në punën e konservimit. Ky sens qëllimi ishte diçka që më nxiti.

Një ditë më pas, situata ime filloi të përmirësohet. Kur u tërhoqa nga kujdesi intensiv pas pesë ditësh, e dija thellë brenda vetes se ia dola, edhe pse isha ende keq dhe u futa në dhomë private për tri ditë. Më pas ishte e nevojshme që një pacient tjetër të qëndronte aty, kështu që unë u transferova në një repart me tre të tjerë.

Ndërsa ishin në fazë shërimi, infermierja zbuloi se po afronte ditëlindja ime e 61-të dhe më pyeti çfarë doja. Unë ndihesha mjaft i mundur dhe i ashpër, kështu që i kërkova të më pastronin e hiqnin mjekrën. Ata e bënë. Atë ditë, infermierët u mblodhën rreth shtratit tim me një copë tortë dhe kënduan “Gëzuar ditëlindjen”. Ishte aq e pabesueshme dhe prekëse.

Tani, unë arrij të përdor telefonin tim celular. Zbulova që mjeku u kishte thënë djemve të mi se situata kur isha në kujdes intensiv nuk ishte aspak e sigurt. Kam zbuluar gjithashtu se nëna ime shkoi në një spital tjetër dy ditë më vonë, së bashku me motrën time. Ato nuk ishin aq keq dhe i nxorën tre-katër ditë më vonë.

Ende po e pyes veten pse jam këtu dhe të tjerët nuk janë. Burri përballë meje në repart dukej në një moshë të ngjashme me mua, por ai vdiq ndërsa isha atje. Ishte e tmerrshme të shihje se si luftonte dhe se si infermierja e ulur pranë tij gjatë gjithë pasdites i mbante dorën. Ishte edhe një djalë 13 vjeç që vdiq. Një ditë para se unë të dilja nga kujdesi intensiv, vdiq një këshilltar i ENT, i cili punonte në të njëjtin spital.

Nuk kam shumë kohë që kam dalë nga spitali, por gjithçka që mund të mendoj është se mrekullia e gjithë kësaj historie është NHS (kujdesi shëndetësor). Nuk e di se si një organizatë në shkallë të shërbimit shëndetësor përfundon të ketë një ekip njerëzish – qoftë në pritje, kujdes intensiv ose në repart – ku të gjithë janë të përkushtuar me një ndjenjë kujdesi dhe dhembshurie. Është shumë përulëse.

Unë mendoj se krijimi i NHS është arritja kurorëzuese e Britanisë. Dua të falënderoj stafin, pa të cilin nuk do të isha sot këtu./ Gazeta Sinjali/