Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se Laura Emrush Nuhiu, 20-vjeçarja nga Presheva që ishte zhdukur në Gjermani, që nga e shtuna, tashmë është gjetur. Sinjali ka siguruar rrëfimin e disa personave të afërt me familjen Nuhiu, të cilët në kushte anonimiteti kanë folur për rastin e Laurës.
Familja dyshon se ajo është rrëmbyer nga disa persona
Sipas personave të afërt me familjen e Laurës, ajo kishte udhëtuar të shtunën nga Freudenstadti në Offenburg, për të iu nënshtruar një provimi.
Por sipas tyre ajo u përball atje me disa të rinj, sirianë e kurdë, të cilët thonë se e rrëmbyen dhe e goditën 5 herë mbrapa kokës 20-vjeçaren. Të afërmit e familjes thonë se të rinjtë që e rrëmbyen vajzën ishin të maskuar.
Të afërmit e familjes Nuhiu nga Presheva thonë se për shkak të goditjeve 20-vjeçarja e humbi vetëdijen.
Të njëjtit persona thanë për Sinjalin se Laurën e ka marrë familja dhe e ka dërguar në shtëpi, shkruan Gazeta Sinjali.
Por sipas burimeve të Sinjalit Policia e Freudenstadti është duke e parë me dyshim tregimin e 20-vjeçares se çfarë ka ndodhur këto ditë kur ajo u zhduk dhe nuk përjashtojnë mundësinë e inskenimit të rrëmbimit.