Një vajzë 22- vjeçare shqiptare në Amerikë, është infektuar me virusin Covid-19, ajo përmes rrejtit social Twitter ka vendosur të tregojë se si ndjehet çdo ditë e mbyllur në shtëpi dhe dhimbjet që përjeton.
Bjonda Haliti ka treguar se në fillim virusi të bën të kollitesh dhe ke dhembje në fyt, gjithashtu ndjehesh i/e lodhur, shkruan Gazeta Sinjali.
Ajo ka treguar se në ditën e dytë ka ndjerë presion të lartë në kokë, ka pasur kollitje të vazhdueshme, të dridhur dhe ethe. Pas disa kërkimeve që ka bërë pas gjendjes në të cilën po kalone ajo zbuloi që vuan edhe nga migrena.
Dita e tretë sipas Halitit, e infektuar dhe e mbyllur thotë se nuk kishte fare energji për të bërë asgjë, kishte vazhdimisht kollitje të thatë dhe dridhje të trupit.
Haliti është konsultuar me një mjek dhe ka përdorur ibuprofen, sipas saj ajo është siguruar që të qëndrojë e hidraduar dhe me vitamina. Pas ditës së katërt kanë filluar t’i rrallohen të dridhurat por një simptomë e re iu shfaq dhe ajo ishte ngadalësimi i procesit të frymëmarrjes. Ajo rrëfen që ndjehej sikur herë pas here përjetonte ndonjë sulm në zemër, kishte edhe dhimbje gjoksi. Haliti tregon se është detyruar të mbajë frymëmarrjen për 10 sekonda për tu ndjerë më e lehtësuar.
Pas ditës së gjashtë, duke vazhduar të përdorë ibuprofen simptomat e saj ende ishin dhimbje e fytit, kollitje, vështirësi në frymëmarrje dhe energjia jo në nivelin e zakonshëm.
Duke qëndruar në karantinë dhe duke përdorur udhëzimet e mjekut për përdorimin e ibuprofenit, 22- vjeçarja thotë se ka filluar të ndjehet sërish vetvetja pas ditës së 9.
Ndërkaq në ditën e 10-ë në karantinë, simptomat e saj janë ende kollë e butë, probleme me mukozë por energji normale.
Bjonda Haliti po vazhdon të qëndrojë në vetizolim dhe duke u kujdesur për veten. Në ditët në vijim do të bëjë sërish testin për të parë nëse është shëruar nga virusi Covid-19./ Gazeta Sinjali/