Në diskotekën “Venom” në magjistralen Prishtinë – Ferizaj jo rrallëherë ka pasur përleshje e incidente të ndryshme mes të rinjve, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë, por këtë herë dyshohet të jetë i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky i fundit dyshohet ta ketë sulmuar fizikisht një 20-vjeçar, duke e goditur me grushte. Për të mos mbaruar me kaq, viktima ka raportuar se i dyshuari edhe e ka kërcënuar me fjalët “T’gjuj prej katit t’dytë”.
Bazuar në dëshminë e viktimës, edhe vëllai i të dyshuarit është përfshirë në këyë rast, duke e kanosur po ashtu se “kam me t’pre n’fyt”.
Dy palët dyshohet se kanë qenë nën ndikimin e alkoolit dhe kanë qenë punëtorët e sigurimit ata që kanë arritur ta ndalojnë përleshjen.
Për rastin janë vënë në dijeni edhe Policia e Prokuroria, me ç’rast kanë nisur hetimet për kapjen e të dyshuarve dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.