image Rrahja në Kaçanik/ Gjykata merr vendim ndaj dy të dyshuarve

Drejtësi

Rrahja në Kaçanik/ Gjykata merr vendim ndaj dy të dyshuarve

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurve F.V. dhe V.V., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas gjyqtarit të procedurës paraprake, Burhan Berishës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit më 1 gusht të këtij viti, në një lokal në Kaçanik, bashkë me të pandehurin B.V., i cili gjendet në arrati, me dashje, duke përdorur forcë fizike ndaj të dëmtuarve Q.T., Gj.T. dhe A.T., u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Derisa Q.T., Gj.T. dhe A.T., kishin qenë duke qëndruar në një lokal në Kaçanik, aty kishin shkuar të pandehurit dhe B.V., ia kishte zgjatur dorën për t’u përshëndetur me Q.T., po i njëjti kishte refuzuar të përshëndetet.

Si shenjë hakmarrje, B.V., dyshohet se e ka goditur me kokë në ballë. Pas tij, atë e kishte goditur me shishe birre edhe i pandehuri tjetër F.V.

Në atë moment kishte ndërhyrë Gj.T. dhe A.T., për t’i ndalur, por Gj.T., e kishte goditur i pandehuri V.V., me grusht, shishe dhe gotë të qelqit në hundë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat posedon raporte mjekësore.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në kumtesën e kësaj gjykate./Gazeta Sinjali/