Prokuroria Themelore e Gjakovës ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve, Q.I., dhe L.R., nga Gjakova, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Gazeta Sinjali kishte raportuar të shtunën për këtë rast, ndërsa sot janë dhënë detaje se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në QKUK.
Sipas prokurorisë, më 14 shtator, në vreshtat e “ Stone Casle”, në Komunën e Rahovecit, të pandehurit Q.I., dhe L.R., me dashje e në bashkëkryerje i shkaktojnë lëndime të rënda trupore, tani të dëmtuarit M.P.
“Rasti ka ndodhur pas një mos marrëveshjeje verbale që kishin ku më pas dy të pandehurit e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin duke e goditur disa herë me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime në mushkëri dhe në kokë, ku pasi së pari ka filluar të trajtohet në Spitalin Rajonal në Gjakovë, të njëjtit i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe me rekomandimin e mjekëve dërgohet në QKUK në Prishtinë, për tretman të mëtutjeshëm”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Prokurori i rastit, ndaj të pandehurve ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe e njëjta masë është pranuar dhe shqiptuar nga gjykata kompetente./Gazeta Sinjali/