Raportohet se një serb është rrahur nga disa sulmues të panjohur në rrugë në fshatin Zebincë afër Novobërdës, shkruan Gazeta Sinjali.
Babai i serbit që po trajohet në spital, Sllobodan Periq ka thënë se djali i tij është në gjendje të qëndrueshme dhe se për shkak të lëndimeve të marra në kokë, mjekët i kanë reakomanduar prindërve të qëndrojnë në spital për ta monitoruar shërimin e tij.
“Jo mirë. Meqenëse nuk e lënë të dalë nga spitali, nuk është mirë. Ai do të mbahet në Gjilan, deri kur, nuk e di. Policia po e siguron atë para derës së dhomës së spitalit”, tha Periq.
Sllobodan Periq për portalin serb në Kosovë, “Kosovo Online” tha se djali i tij është rrahur pa asnjë arsye nga tre shqiptarë dhe se ka frikë për të ardhmen e familjes së tij në Novobërdë.
“Unë nuk jam më i sigurt për të ardhmen tonë në këtë zonë pas sulmit ndaj Nikollës. Ai u rrah pa asnjë arsye nga tre shqiptarë ndërsa po i kthente bagëtinë nga kullotja. Një incident i tillë nuk ka ndodhur këtu për 22 vjet”, tha ai.
Babai i të riut të rrahur pret nga Policia e Kosovës t’i gjejë sulmuesit sepse kamerat e sigurisë janë të vendosura në disa pozicione përgjatë rrugës ku u sulmua djali i tij. Sipas Periq, sulmuesit kanë ikur në drejtim të panjohur me një veturë të zezë “BMW”. /GazetaSinjali/