Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë përparim dhe të shmanget çdo tension. Derisa është pyetur në lidhje me deklarimet e liderëve të Serbisë, ai ka thënë se presin zbatim të plotë të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit të dakorduar në Ohër.
Lidhur me zgjedhjet që do të mbahen të dielën në veri të vendit, diplomati gjerman ka deklaruar se të dy palët duhet të arrijnë përparim për qytetarët e të dyja vendeve.
“Ne kemi bërë një deklaratë për këtë dhe nevoja e kohës përveç zbatimit është edhe shmangia e çdo tensioni për ndonjë temë tjetër. Ajo që na nevojitet është që të dy palët tani duhet së bashku në mënyrë konstruktive të arrijnë përparim që është i rëndësishëm për qytetarët e të dy vendeve”, ka deklaruar ai.
Ai nuk ka dashur të komentojë deklarimet e liderëve në Beograd, veçse ka theksuar se presin zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.
“Dua të them se ne e mbështesim plotësisht përfaqësuesin Special të BE-së Lajçak në përpjekjet e tij për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër, dhe siç e kemi thënë Kosova, dhe ju e dini, zbatimi i plotë është nevojë e kohës, dhe kjo është ajo që ne presim”, ka shtuar ai.
Më tej, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë ka thënë se pret së shpejti takim mes Kosovës dhe Serbisë.
“Duhet të pyesni palët për këtë, unë nuk mund të përgjigjem për ta, shpresoj se së shpejti do të ketë një takim, sepse zbatimi do të thotë që ju duhet të filloni punën. Dhe përsëri, mund vetëm të nënvizoj se për të arritur progres, duhet të zbatojmë gjërat e dakorduara në Bruksel dhe Ohër”, ka përfunduar ai.
Kosova dhe Serbia u pajtuan me 18 mars në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes që u arrit në Bruksel, ani pse nuk pati nënshkrim të saj./KP