image Rohde: Kosova duhet ta zbatojë detyrimin e saj dhe ta sjellë Asociacionin tani, është një shans historik

Politikë

Rohde: Kosova duhet ta zbatojë detyrimin e saj dhe ta sjellë Asociacionin tani, është një shans historik

news image

Ambasdori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde i ka ofruar mbështetje të plotë emisarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në përpjekjet e tij për arritjen e një marrëveshjeje.

Rohde shkroi në Twitter se “një marrëveshje është e arritshme” dhe se “Kosova do të fitojë shumë”. Ndërsa tha se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin “tani”.

“Një marrëveshje është e arritshme. Kosova do të fitojë shumë. Kosova duhet ta zbatojë detyrimin e saj të kahershëm dhe ta sjellë Asociacionin tani”, shkroi Rohde.

Ambasadori gjerman tregoi edhe apelin e tij për Kosovën dhe Serbinë para takimit të rëndësishëm në Ohër.

“Apeli im për Kosovën (dhe Serbinë) për bisedimet e ardhshme në Ohër: ‘Mos e humbni autobusin’”, shkroi Rohde.

“Një marrëveshje do ta përshpejtojë integrimin euroatlantik të Kosovës dhe është një shans historik në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe njohjes reciproke”, theksoi ambasadori i Gjermanisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër, mes përpjekjeve të ndërkombëtarëve për t’i bërë ata që ta nënshkruajnë një marrëveshje bazë për normalizimin e marrëdhënieve.

/GazetaSinjali/