image Rizvanolli: Sektori i energjisë është krucial për rritje ekonomike, për dekada u investua vetëm në rrugë 

Politikë

Rizvanolli: Sektori i energjisë është krucial për rritje ekonomike, për dekada u investua vetëm në rrugë 

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vlerëson se sektori i energjisë është kyç për rritje ekonomike, zhvillim dhe mirëqenie.

Ajo tha se në Kosovë sektori i energjisë është neglizhuar me dekada dhe se investimet publike kanë qenë të fokusuara vetëm në infrastrukturën rrugore.

“Është e qartë se sektori i energjisë është krucial për rritje ekonomike, zhvillim dhe mirëqenie të qytetarëve. Pushtimi i Ukrainës dhe mënyra se si Putini është duke e përdorur gazin si armë dhe energjinë në përgjithësi kundër tërë Evropës e ka bërë në fakt më të qartë se kurrë më parë – na ka kujtuar diçka që ne e kemi ditur gjithmonë, se siguria energjetike është në fakt çështje e sigurisë energjetike gjithashtu, përtej ndikimit social dhe ekonomik”.

“Fatkeqësisht në Kosovë energjia është neglizhuar me dekada, investimet publike kanë qenë të fokusuara në infrastrukturën rrugore, veçanërisht në disa autostrada të shtrenjta, derisa furnizimi me energji ishte i kërcënuar. Siguria e furnizimit ishte në fakt e kërcënuar edhe pse kjo fshihej lehtësisht për publikun, sepse mungesat do të plotësoheshin me import, i cili ishte relativisht i lirë me 60 deri në 90 euro. Sidoqoftë, ne si qeveri ishim në dijeni për këtë që nga dita e parë dhe filluam të punojmë në planifikimin e një të ardhmeje energjetike të sigurt dhe të pastër për vendin. Ndërkohë u bë më e qartë edhe për publikun se sistemi ynë i energjisë është shumë i cenueshëm dhe se edhe shteti, si rezultat i mungesës së investimit në energji, është shumë i cenueshëm”.

“Kriza pas pandemisë që e goditi Evropën e bëri këtë shumë të qartë, do të thosha, dhe pastaj kjo u rëndua pas pushtimit rus të Ukrainës dhe ajo që ne kemi bërë që atëherë është puna në dy drejtime, duke dhënë subvencione dhe duke i ndihmuar qytetarët të përballen me krizën me ndikimin më të vogël të mundshëm, duke i subvencionuar tarifat, duke e subvencionuar efiçiencën energjetike”, tha Rizvanolli.

Tutje, ministrja e Ekonomisë tha se në ndërtimin e së ardhmes të sektorit të energjisë kanë mbështetjen amerikane si partnerët kryesorë.

“Gjithashtu jemi duke punuar në ndërtimin thuajse nga fillimi të të ardhmes së sektorit të energjisë që e duam dhe aspirojmë për të ardhmen një që është më e sigurt, më e pastër dhe më eficiente, por gjithashtu edhe më e decentralizuar dhe më demokratike dhe këtu MCC-ja dhe qeveria amerikane janë partnerë kryesorë, jo vetëm në këtë program, i cili është më i madhi në 40 vitet e fundit, investimi më i madh energjetik në 40 vitet e fundit”, tha Rizvanolli në Rubikon të Klan Kosovës.

/GazetaSinjali/