image Rizvanolli: Qeveria do të ndajë 13 milionë euro për Telekomin e Kosovës

Financa

Rizvanolli: Qeveria do të ndajë 13 milionë euro për Telekomin e Kosovës

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas vizitës në Telekomin e Kosovës tha në këtë ndërmarrje ka vërejtur ndryshime për të mirë. Sipas ministres, Telekomi po kthjellet dhe se operimi do të fillojë edhe në veri të vendit.

Rizvanolli deklaroi se Telekomit të Kosovës vitin e ardhshëm do ti ndahen 13 milion euro. Ministrja theksoi se kjo ndërmarrje është në proces të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile.

“Për periudhën e menjëhershme jemi duke shikuar mundësitë që të ndihmojmë Telekom-in për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës. Në vlerë prej rreth 1 milion euro, kjo është diçka që do të tentojmë të bëjmë brenda javëve në vijim. Ndërsa, sa i përket vitit tjetër, po flasim për një shumë prej 13 milionë eurosh, e cila do të shfrytëzohet nga Telekom-i, sigurisht që këto duhet të kombinohen zyrtarisht dhe proceduralisht, mirëpo vullneti politik ekziston që Telekom-i të mbështetet me së paku 13 milionë euro për migrimin në kodin telefonik të Kosovës nga kodi i Monakos, si dhe modernizimin e rrjetit”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo shtoi se gjatë këtij viti Qeveria e Kosovës i ka dhënë Telekomit të Kosovës gjashtë milionë euro hua.

“Vala do të bëhet e Kosovës, e jo e Monakos, përfundimisht dhe gjithashtu do të fillojë modernizimi i rrjetit. Që do të thotë që qytetarët shumë shpejt që nga marsi i vitit që po vjen do të fillojnë të ndjejnë përmirësimet në shërbimet e Telekom-it”, deklaroi Rizvanolli.

/GazetaSinjali/