image Rikthim në natën kur "Shqipëria Etnike" pushtoi qiellin e Beogradit

Futboll

Përvjetori/ Rikthim në natën kur “Shqipëria Etnike” pushtoi qiellin e Beogradit

news image

Sot pesë vjet, Kombëtarja e Shqipërisë në futboll do ta luante ndeshjen më emocionuese dhe më të vështirë në aspektin mental, një ndeshje shumë përtej futbollit.

Futbollistët tanë kishin hyrë në stadiumin e mbushur me tifozë serbë, duke u munduar t’i shmangnin emocionet me qëllimin e vetëm për ta fituar atë ndeshje. Por askush nuk mund të parashikonte se 3 pikët do të vinin në atë mënyrë, shkruan Gazeta Sinjali.

Me historinë e ngjashme të fëmijërisë së shumicës prej tyre për ta recituar himnin para familjarëve, vështirë se dikush nga futbollistët mund ta mendonte se ndonjëherë do ta këndonin himnin kombëtar shqiptar duke dëgjuar në sfond thirrjet për vrasjen e tyre, në një stadium në Serbi, të mbushur plot me serbë.

Gjatë intonimit të himnit, futbollistët shqiptarë humbën ritmin dhe sinkronizimin mes vete, pasi himni nuk dëgjohej nga fishkëllimat dhe thirrjet kriminale të serbëve, por e kënduan atë deri në fund.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, sinkronizimi ishte shumë i mirë për situatën. Ndeshja kishte nisur me dominim të Shqipërisë deri në minutën e 36-të, kur gjyqatari i ndeshjes, Martin Atkinson e ndërpreu përkohësisht atë, pas hedhjes së fishekzjarreve në fushë nga tifozët serbë. Edhe pasi Atkinson urdhëroi vazhdimin e ndeshjes, Shqipëria kishte shanse më të mira për të kaluar në epërsi, ndonëse thirrjet “vritni shqiptarët” vetëm sa vinin e shtoheshin.

Momenti historik ndodhi në minutën e 41-të. Një flamur me portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit dhe hartën e Shqipërisë etnike në mes u lëshua leht mbi stadiumin e Beogradit, duke bërë që tensioni edhe ashtu prezent, të shfrenohej tashmë.

Plani nuk shkoi shumë mirë dhe flamuri u ul më poshtë sesa ishte planifikuar, aq sa lojtari serb, Mitroviq e uli në tokë. Por Andi Lila dhe Taulant Xhaka ia morën shpejt nga duart, e po aq shpejt atë e mori Bekim Balaj.

Teksa Balaj po e mbërthente fort për trupi flamurin “Autochthonous”, një karrigë plastike u përplas drejt tij, duke e goditur në kokë. Ndeshja u bë e pamundur të luhej më dhe futbolli doli në plan të dytë.

Serbi që e goditi Balajn, u përball me Lorik Canën. Kapiteni shqiptar e neutralizoi atë, por jo siç bëjnë zakonisht kapitenët me tifozët, sepse ishte situatë krejtësisht e jashtëzakonshme. Ai u ndesh fizikisht me të, duke e grushtuar huliganin të cilin e shtriu për tokë.

I paguar për ta mbajtur rendin e qetësinë në stadium, një person me veshje të sigurimit të stadiumit e sulmoi me grushte Canën. Në këtë moment filloi edhe rrahja masive. Shqiptarët po luftonin nën sytë e policëve që nuk bënin asgjë.

Kaos total. Nga tribuna vinte çdo gjë, që nga karriget, gurët e gozhdat. Minutat në vazhdim ishin të përziera me krenari dhe frikë. Tifozët e frustruar zbrisnin në fushë, duke mos u ndaluar nga rojet e sigurimit. Jeta e futbollistëve shqiptarë po rrezikohej seriozisht.

Ndonëse në një situatë të tillë, doktori i skuadrës, Arben Çeliku e merr flamurin dhe e çon te bankina pas një sprinti 50 metërsh.

Përleshjet fizike vazhduan derisa Atkinson ftoi lojtarët që ta lëshojnë stadiumin. Shqiptarët vrapuan drejt zhveshtores, ndërsa trajneri i Serbisë, Dick Advokad me lojtarët e tij nuk lëviznin.

Në fushë zbret edhe famëkeqi Bogdanoviq, tifozi huligan serb që në Itali e kishte djegur flamurin kuq e zi.

Para hyrjes drejt zhveshtoreve, futbollistët tanë u sulmuan edhe njëherë, derisa rojet aktronin sikur po i ndalnin huliganët.

I fundit që doli nga fusha ishte Taulant Xhaka. Aspak i frikësuar, por plot mllef. Përpara se t’u bashkohej shokëve, e godet me shkelm një karrigë plastike, të ngjashme me atë e cila u përplas në kokën e Bekim Balajt.

Pas shumë diskutimesh dhe refuzimit të futbollistëve shqiptarë për t’u rikthyer në fushë, delegati i ndeshjes vendosi që ndeshja të mos luhej më. U pezullua përfundimisht.

“Nuk bëj komente për ngjarjen, do të raportoj gjithçka. Është e pamundur të vazhdohet ndeshja”, tha delegati i UEFA-s.

https://youtu.be/KUavsrRUf-c?t=479

Një vit pas, më 10 korrik të vitit 2015, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi drejtesi. Shqipëria fitoi 3 pikë në tavolinë pas një pritje 9 mujore. /Gazeta Sinjali/